Bosnja dhe Hercegovina mund të shpërbëhet – Dodik kërcënon me përshkallëzim të situatës në Republika Srpska

Evropë

Bosnja dhe Hercegovina mund të shpërbëhet – Dodik kërcënon me përshkallëzim të situatës në Republika Srpska

Më: 22 prill 2023 Në ora: 18:13
Millorad Dodik

Anëtarët e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Denis Beqiroviq dhe Zheljko Komshiq, akuzuan liderin serb të Bosnjës Milorad Dodik se ka shkaktuar krizë me veprimet e fundit që mund të dërgojnë në shpërbërje dhe luftë në atë vend ndërsa ai u përgjigj se Republika Srpska do ta mbrojë veten nga të gjithë.

Një shkëmbim i ri fjalësh të ashpra pasoi pasi Dodik njoftoi se të hënën do të organizonte nënshkrimin e një deklarate të përbashkët nga partitë e përfaqësuara në parlamentin e Republika Srpska, e cila kundërshton të drejtën e pronësisë së BH si shtet, raporton index.hr.

Dodik këmbëngul se të gjitha pronat e paluajtshme në territorin e Bosnjë dhe Hercegovinës që ajo trashëgoi si pronë shtetërore ose shoqërore janë në fakt pronë e njësisë. Në këtë mënyrë, ai kundërshton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila i ndaloi njësitë të disponojnë ato prona derisa statusi i saj të rregullohet me një ligj të miratuar nga Parlamenti i Bosnjës.

Dodik tani po u bën thirrje partive nga Republika Serbe që të radikalizohen, domethënë, në rast të miratimit të ligjit shtetëror për pronën, të gjithë serbët e punësuar Bosnje duhet të tërhiqen nga ato institucione, dhe që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet ta bëjnë këtë më së pari. Ai kërcënon edhe me vendosjen e kontrolleve të lëvizjes në kufirin ndërsubjekt.

Ndërkohë, Beqiroviq e krahasoi sjelljen e Dodikut me atë të kriminelëve serb, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq, që shkaktuan luftën në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Ne kemi edhe shumë miq jashtë vendit dhe unë edhe një herë i them atij të mos luajë me shtetin e Bosnje-Hercegovinës. Shteti i Bosnje dhe Hercegovinës është më i fortë se çdo keqbërës”, tha Beqiroviq.

Komshiq, nga ana tjetër, në një mesazh të veçantë në Facebook, pohoi se Dodik po ndjek rrugën e “ndarjes përfundimtare” të Republikës Serbe nga Bosnja dhe Hercegovina.

Nuk vonoi shumë dhe Dodik u përgjigj duke akuzuar Beqiroviqin se ishte ai që po shkatërron paqen.

“Unë do të këshilloja të mos thuani fjalë të mëdha dhe të kërcënoni me armë njerëzit e tjerë”, tha Dodik, duke vënë në dukje se serbët e Bosnjës dikur mbrojtën “vendin e tyre” dhe do ta bëjnë përsëri nëse është e nevojshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat