LIVE: Rrëzohen një aeroplan rus dhe një helikopter në kufi me Ukrainën – Zelensky takohet me Papën

Evropë

LIVE: Rrëzohen një aeroplan rus dhe një helikopter në kufi me Ukrainën – Zelensky takohet me Papën

Nga: Bota sot Më: 13 maj 2023 Në ora: 06:11 Përditësuar në ora: 16:55 më 13.05.2023
Pamje nga lufta në Ukrainë

Papa takohet me Zelensky

Volodymyr Zelenskyy po takon Papën për herë të parë që nga fillimi i luftës, përcjell Bota sot.

Udhëtimi i tij vjen pas komenteve intriguese të Papa Françeskut muajin e kaluar, kur ai la të kuptohet se ishte përfshirë në një plan të fshehtë paqeje - një nismë që nuk u konfirmua nga Rusia dhe Ukraina.

Papa bën lutje të shpeshta me pasion në emër të popullit të "martirizuar" të Ukrainës dhe ka thënë se do të dëshironte të shkonte në Kiev dhe Moskë nëse një pelegrinazh papal mund të çonte përpara kauzën e paqes.

Muajin e kaluar, kryeministri i Ukrainës u takua me Papa Françeskun në Vatikan dhe tha se ai i kërkoi udhëheqësit fetar të ndihmonte Ukrainën të kthente fëmijët e marrë ilegalisht në Rusi gjatë pushtimit.

Zelensky në Romë, takohet me kryeministren Meloni

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u takua të shtunën me kryeministren italiane Giorgia Meloni në udhëtimin e tij të parë në Itali që prej fillimit të agresionit rus në shkurt të vitit të kaluar.

Zoti Zelensky zhvilloi bisedime me Presidentin Sergio Mattarella në Pallatin Quirinale dhe do të ketë një drekë pune me kryeministren Meloni përpara se të niset për në Vatikan për të takuar Papa Françeskun.

Në rrjetin social Twitter, zoti Zelensky e quajti vizitën e tij në Itali dhe Vatikan “një vizitë e rëndësishme për afrimin e fitores së Ukrainës!”

Kryeministrja Meloni e vizitoi presidentin Zelensky në Kiev në shkurt për ta siguruar atë për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë për Ukrainën, pavarësisht se disa nga partnerët e saj në koalicionin qeverisës, veçanërisht ish-kryeministri Silvio Berlusconi, kanë lidhje të ngushta me Moskën.

Takimi me Papën pritet të jetë pjesa më e rëndësishme e vizitës së zotit Zelensky në Itali. Ai u takua më parë me Papën në Vatikan në vitin 2020 dhe të dy kanë pasur disa biseda telefonike që nga fillimi i luftës./VOA

Një aeroplan rus SU-34 dhe një helikopter Mi-8 u rrëzuan në kufi me Ukrainën, dalin pamjet në rrjetet sociale

Një aeroplan luftarak rus SU-34 është rrëzuar në rajonin Bryansk në kufi me Ukrainën, njoftoi agjencia e lajmeve TASS.

Ky është incidenti i dytë i tillë sot, pasi një helikopter supozohet se u rrëzua në të njëjtin rajon.

Videot e postuara në mediet sociale ruse duket se tregojnë një helikopter transporti Mi-8 duke u rrëzuar në të njëjtin rajon.

Një video që publikoi mediumi Nexta në Twitter tregon momentin kur helikopteri qëllohet nga larg e më pas shpërthen në flakë.

Pamje të momentit të rrëzimit të aeroplanit SU-34 gjithashtu janë publikuar në rrjetet sociale.

Si rrjedhojë e të dy incidenteve kanë mbetur të vdekur të dy ekuipazhet e dy aeroplanëve.

Ende nuk dihet saktë se kush i ka rrëzuar apo se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. 

Gjermania me pako të madhe ushtarake për Ukrainën prej 2.7 miliardë eurosh

Gjermania është duke vazhduar mbështetjen financiare ushtarake për Ukrainën që nga fillimi i pushtimit rus nga viti i kaluar.

Gjermania do të sigurojë një paketë të re ndihme ushtarake prej 2,7 miliardë eurosh për Ukrainën.

Ajo përfshin 30 tanke Leopard, tha të shtunën shefi i shtabit të presidentit ukrainas, shkruan Reuters.

Në një postim në aplikacionin Telegram, Andriy Yermak tha se Berlini do të sigurojë gjithashtu katër sisteme të mbrojtjes ajrore Iris-T, 20 transportues të blinduar të personelit Marder, 200 dronë zbulimi, 100 automjete të blinduara dhe një sasi të madhe municionesh.

Zelensky arrin në Itali, do të takohet me Papa Françeskun dhe liderët italianë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka arritur në Itali, ku do të zhvillojë takime me kryeministren italiane Giorgia Meloni dhe presidentin Sergio Mattarella.

“Një vizitë e rëndësishme për fitoren e Ukrainës”, postoi Zelenskyy në Telegram.

Ai pritet të takohet në Vatikan edhe me Papa Françeskun, shkruan Skynews.

Udhëtimi i parë i presidentit ukrainas në Itali që nga fillimi i luftës vjen pasi Papa zbuloi se ishte i përfshirë në një mision paqeje për t’i dhënë fund.

Për habinë e Kievit dhe Moskës, Papa bëri komentet në një udhëtim në Hungari më 30 prill, por nuk pranoi të ofrojë detaje të mëtejshme.

“Ka një mision tani, por nuk është ende publik. Të shohim se si… kur të jetë publik do të flas për të”, tha ai.

Papa shpresonte të ishte një ndërmjetës kur filloi konflikti, por më vonë filloi të dënonte me forcë veprimet e Rusisë.

Ndryshe, kryeministrja italiane Meloni u takua me Zelenskyn në Kiev, pak para përvjetorit të pushtimit të Rusisë më 24 shkurt 2022.

Trupat ukrainase përdorin dronët kamikazë për të goditur objektivat ruse

Këto pamje të publikuara nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës thuhet se tregojnë trupat ukrainase të SBU-s duke përdorur dronët kamikazë për të goditur objektivat ruse.

Pamjet nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur, megjithatë janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale.

Forcat speciale të SBU-s organizuan një “dënim” ndaj forcave ruse me ndihmën e dronëve FPV.

Nuk dihet se në cilën zonë janë xhiruar pamjet megjithatë luftime të ashpra ka pasur Bakhmut, ku Ukraina pritet së shpejti të nisë kundërofensivën e shumëpritur.

Në disa caqe, thuhet jo zyrtarisht se Ukraina ka nisur ofensivën.

Ana tjetër e medaljes, si lufta e Rusisë po i prish planet Kinës, zbulohet arsyeja pse Xi Jinping e toleron Vladimir Putin

Thuajse kudo flitet se Kina do të jetë fituesja e vërtetë e luftës në Ukrainë, por jo gjithçka është ashtu siç duket. Kështu e nis media britanike Express UK, artikullin ku argumenton pse “dragoi” mbështet luftën e Vladimir Putin, ndonëse në të vërtetë e urren atë.

“Prioriteti i saj është një zgjidhje e shpejtë dhe paqësore e konfliktit”, shkruan Express UK. Një arsye pse Pekini mendohet se përfiton nga kjo luftë qëndron në keqkuptimin se si funksionon sistemi ndërkombëtar i shteteve dhe sa fuqi ka Kina.

“Xi Jinping nuk do të jetë në gjendje ta ndalojë luftën thjesht duke marrë telefonin dhe duke telefonuar Putinin”, thekson Express UK, duke shtuar se nëse Pekini nuk po i jep fund kësaj lufte, siç shpresonin shumë në Evropë kur filloi lufta, kjo ndodh sepse Kina nuk është domosdoshmërisht e aftë ta bëjë këtë.

Ndërkohë, lufta ka krijuar edhe probleme të tjera për Kinën, sepse ka shtuar presionin më të madh perëndimor mbi Tajvanin. Kjo shtron pyetjen se pse Kina do të vazhdonte të ishte një mike e Rusisë, nëse lufta po shkakton kaq shumë telashe. Përgjigja qëndron në mendësinë afatgjatë gjeopolitike të hartuesve të strategjisë së Pekinit.

“Nëse Kina dëshiron ndonjëherë të bëhet një fuqi globale, ajo duhet të bëjë miq, ka nevojë për aleatë që mund të mbështesin axhendën e saj në institucionet shumëpalëshe”, shkruan Express UK. Kështu ndërtoi SHBA-ja hegjemoninë e saj globale dhe Kina është ende prapa në këtë drejtim. 

“Prioriteti i Kinës mbetet përballja me SHBA-në. Pekini po përfiton nga kostoja që lufta në Ukrainë po rëndon mbi financat e SHBA-së, por Uashingtoni s’do të lejojë kurrë që të prekë prioritetet e tij në Indo-Paqësor”, përmbyll Express UK.

Britania e Madhe “blindon” Ukrainën para kundërofensivës, dërgon raketat që do të tmerrojnë Rusinë, ja si planifikojnë të hedhin në erë urën e preferuar të Vladimir Putin

Kundërofensiva ukrainase po afrohet, dhe “çelësi” i suksesit padyshim do të jetë ndihma perëndimore, Edhe vetë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka konfirmuar e Ukraina në një farë mase varet nga aleatët. Në këtë kontekst, raketat me rreze të gjatë veprimi nga Britania e Madhe, për forcat e armatosura të Ukrainës do të paraqesin sfida të reja të vështira për mbrojtjen ruse, siç shkruan Newsweek.Të enjten, Sekretari Britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, u tha ligjvënësve të Mbretërisë së Bashkuar se raketat me rreze të gjatë “Storm Shadow” do të dërgoheshin në Ukrainë, ndonëse nuk specifikoi se sa.

Raketat e reja

Ukraina ka kërkuar në mënyrë të përsëritur për aftësi sulmi me rreze të gjatë, por mbështetësit perëndimorë të Kievit kanë hezituar të furnizojnë armë që mund të përshkallëzojnë situatën ose armë që ofrojnë mundësinë për Ukrainën për të goditur brenda territorit rus. “Komandantët ukrainas e dinë shumë mirë se ku duhet ta kenë fokusin raketat e tyre të reja për efekt maksimal”, tha eksperti ushtarak David Hambling. “Raketat mund të godasin një objektiv specifik, me precizitet”, tha ai për Newsweek. Raketat e lëshuara nga ajri kanë një rreze veprimi më të madhe se 155 milje, sipas prodhuesit. Ato janë krijuar për të "përmbushur kërkesat e sulmeve të para-planifikuara kundër objektivave me vlerë të lartë, fikse ose të palëvizshme", madje edhe në kushte ekstreme, tha “MBDA Missile Systems” për “Storm Shadow”.  Gama e raketave tejkalon edhe sistemet e armëve që Amerika i ka dhuruar Ukrainës.

Shkatërrimi i urës së Krimesë

Ndikimi që do të kenë këto armë do të varet përfundimisht nga sa raketa "Storm Shadow" do të marrë Ukraina. Ushtria e Kievit do të jetë në gjendje të godasë objektiva të forta, duke përfshirë bunkerët e komandës nëntokësore, qendrat logjistike dhe fushat ajrore. Ata do të ofrojnë gjithashtu mundësinë për të goditur urën e Kerçit, e cila lidh Rusinë kontinentale me gadishullin e aneksuar të Krimesë.Ura është një nyje e rëndësishme logjistike në planifikimin ushtarak rus dhe është kritike për përpjekjet e Rusisë për furnizim në rajonin jugor Kherson të Ukrainës. Humbja e urës do të përbënte një pengesë të madhe për forcat e armatosura të Rusisë dhe një humbje të rëndësishme simbolike për Vladimir Putin.Deri më tani, diapazoni i kufizuar i sistemeve të tjera të armëve të Ukrainës dhe mbrojtja e rëndë ruse rreth ngushticës së Kerçit kanë parandaluar një goditje të koordinuar në urë.

“Dhimbje koke” për rusët

“Storm Shadow” gjithashtu është një “dhimbje e re koke”, për organizimin e mbrojtjes ajrore ruse në javët dhe muajt e ardhshëm, sipas ekspertëve. Raketa është efektivisht e papërmbajtshme dhe ka shumë pak gjasa që të zbulohet nga mbrojtja ajrore ruse.“Rusia ose do të detyrohet të zhvendosë burimet, si rezervat e municioneve, larg rrezes së këtyre armëve të reja, ose do të shohë qindra ton municione të çmuara artilerie të zhduken në një çast”, tha një ekspert. Ushtria e Moskës tani do të duhet të marrë në konsideratë të gjitha objektivat që raketat “Storm Shadow” mund të jenë në gjendje të arrijnë, dhe më pas si t'i mbrojnë ato, thanë ekspertët. Kjo mund të nënkuptojë zhvendosjen e sistemeve të mbrojtjes ajrore nga vija e frontit, ose diku tjetër në Rusi. Nëse këto mbrojtje tërhiqen nga vijat e frontit, kjo ofron një avantazh të ri për forcën ajrore të Ukrainë.

Ndryshim loje

Lëvizja ngre pyetje nëse vendet e tjera të NATO-s, të tilla si SHBA, do t'i japin Ukrainës armë me rreze më të gjatë si ATACMS, ose sisteme raketore taktike të ushtrisë. Uashingtoni deri më tani ka refuzuar t'i dhurojë Ukrainës këto sisteme raketore, të cilat mund të kenë një rreze të ngjashme me “Storm Shadow”. Ndryshe nga hezitimi i Perëndimit për të ofruar raketa me rreze të gjatë veprimi, ky njoftim i Britanisë lë të kuptohet se "mendimi i ndërkombëtarëve ka ndryshuar dhe në fakt rrit më tej nivelin e mbështetjes që Perëndimi është i gatshëm të ofrojë". "Një numër i vogël i raketave nga Britania e Madhe mund të mos bëjë një ndryshim të madh ushtarak, por mund të sinjalizojë ardhjen e më shumë armëve dhe më të rënda" nga vendet e NATO-s.

Shokon ish-presidenti rus me deklaratën për Zelenskyn: Drogaxhiu i Kievit do kryejë vetëvrasje si Hitleri

Ish-presidenti i Rusisë, Dmitry Medvedev, njëkohëisht nënkryetar i Sigurisë Kombëtare, ka sulmuar Zelenskyyn për deklaratat e tij ndaj Kremlinit.

Në një reagim të fundit të bërë Medvede e ka krahasuar Zelenskyy-n me Hitlerin dhe shprehu mendimin se edhe presidenti ukrainas njëjtë si ai do të kryejë vetëvrasje para se të kapet nga forcat ruse, shkruajnë mediat e huaja.

"Zelenskyy, u uroi vdekjen të gjithë banorëve të Kremlinit. Dhe jo nga dora e tij. Ne nuk e dimë se si do të vdesë dikush, sepse rrugët e Zotit janë misterioze. Por drogaxhiu i Kievit ka një shans për të vdekur nga dora e tij. Të vetëvritet ashtu si Hilteri”- thuhet në deklaratën e Medvedev të shpërndarë në rrjetin e tij Telegram.

Gazetarja ruse: Ja si do të duket dita e fundit e Vladimir Putinit në pushtet, askush nuk do ta vrasë apo helmojë atë

Ish-gazetarja në televizionin shtetëror rus, Marina Ovsjanjikova , ka zbuluar mënyrën se si do të largohet nga pushteti presidenti rus Vladimir Putin.

"Unë mendoj se Ukraina do të fillojë të arrijë fitore të rëndësishme në vijën e parë dhe më pas elitat në Rusi do ta ndajnë më tej atë. Shikoni çfarë po ndodh tani... çfarë thotë Prigozhin.

Dhe pastaj Ramzan Kadyrov thotë edhe diçka tjetër. Shpresoj se ai sistem do të shpërbëhet nga brenda”, tha ajo.

Kur u pyet nëse elitat ruse mund ta rrëzojnë Putinin, Ovsyannikova tha se është shumë e vështirë sepse "nuk ka as një lider që mund të organizojë njerëzit" duke qenë se lideri i opozitës Alexei Navalny është në burg.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat