Austri: Nëna akuzohet për tentim vrasje pasi e mbylli djalin në koliben e qenit

Evropë

Austri: Nëna akuzohet për tentim vrasje pasi e mbylli djalin në koliben e qenit

Më: 14 qershor 2023 Në ora: 11:08
Rasti ka shkaktuar zemërim në Austri pasi u bë publik këtë javë.

Një grua austriake po hetohet për tentativë për vrasje dhe torturim të djalit të saj 12-vjeçar pasi e mbylli atë në një kolibe qensh, thanë autoritetet.

32-vjeçarja akuzohet se e ka mbajtur djalin në temperatura nën zero dhe e ka lënë të uritur.

Rasti ka shkaktuar zemërim në Austri pasi u bë publik këtë javë.

Gruaja ndodhet në paraburgim në qytetin Krems, në veriperëndim të Vjenës, që nga nëntori pasi një punonjës social ngriti alarmin.

Fëmija u gjet në koma më 22 nëntor pasi babai – i cili jeton veçmas – thuhet se i informoi autoritetet.

Djali i kequshqyer kishte një temperaturë trupore prej vetëm 26.8 gradë celsius dhe ishte afër vdekjes pasi u torturua për muaj të tërë, tha Johann Baumschlager, zëdhënës i policisë, shkruan BBC.

Djali u dërgua me urgjencë në spital dhe nëna e tij u arrestua të nesërmen.

Gruaja dyshohet se e kishte larë djalin e saj me “ujë të ftohtë disa herë në ditë, ndërsa hapte dritaret e apartamentit për disa orë në mes të temperaturave nën zero”, tha Baumschlager.

Djali tani është rikuperuar fizikisht, por “nga pikëpamja psikologjike, ai është ende i shkatërruar”, shtoi ai.

Gjykata e Lartë e Drejtësisë hodhi poshtë ankesën e gruas kundër mbajtjes në paraburgim për disa muaj në fund të majit.

Hetimi pritet të vazhdojë deri në fund të verës, kur do të merret vendimi për aktakuzën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat