Tre të vrarë nga sulmet ruse në Kherson dhe Kharkiv

Evropë

Tre të vrarë nga sulmet ruse në Kherson dhe Kharkiv

Më: 7 gusht 2023 Në ora: 15:14
Foto ilustrim

Një grua humbi jetën të hënën herët në mëngjes kur forcat ruse bombarduan qytetin jugor Kherson të Ukrainës, ndërsa dy persona të tjerë u vranë nga sulmet ruse me granata ndaj zonave kufitare të rajonit Kharkiv në verilindje të vendit, thanë zyrtarët.

Si qyteti i Khersonit ashtu edhe pjesë të rajonit të Kharkivit janë menjëherë pas vijës së frontit. Ushtria ukrainase ka njoftuar për një intensifikim të sulmeve ruse në rajonin e Kharkivit ditët e fundit.

"Një natë e vështirë për Khersonin... Ushtria ruse vazhdoi të bombardojë banesat e Khersonit në pjesën qendrore të qytetit," tha guvernatori Oleksandr Prokudin në aplikacionin e mesazheve Telegram. Zoti Prokudin tha se goditjet me granata kishin filluar rreth mesnatës dhe zgjatën për disa orë.

Ukraina rimori kontrollin e qytetit Kherson dhe pjesëve të rajonit me të njëjtin emër në nëntor pas muajsh pushtimi rus, por forcat ruse e vënë në shënjestër rregullisht qytetin dhe zonat përreth nga ana tjetër e lumit Dnipro.

Këtë muaj një mjek u vra dhe pesë punonjës të mjekësisë u plagosën nga sulmet ruse me granata ndaj një spitali Kherson. Rusia mohon që të ketë vënë në shënjestër civilë ose spitale gjatë agresionit ndaj Ukrainës që ka hyrë në muajin e 18-të dhe ka shkaktuar vdekjen e mijëra vetëve, zhvendosjen e miliona të tjerëve dhe shkatërrimin e qyteteve dhe fshatrave të Ukrainës./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat