​Meloni: Nuk do ta lë Italinë të bëhet kampi i refugjatëve të Evropës

Evropë

​Meloni: Nuk do ta lë Italinë të bëhet kampi i refugjatëve të Evropës

Më: 20 shtator 2023 Në ora: 15:35
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka thënë se "nuk do të lejoj që Italia të bëhet kamp i refugjatëve të Evropës". Ajo ka folur në Nju Jork ku po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Meloni ka thënë se një rritje e numrit të mbërritjeve të emigrantëve në ishullin Lampedusa e ka vënë Italinë nën "presion të paqëndrueshëm".

Në Nju Jork ajo ka hedhur poshtë kritikat ndaj Memorandumit të Mirëkuptimit që BE-ja ka nënshkruar me Tunizinë për bashkëpunim në ndalimin e trafikantëve me qenie njerëzore që përdorin brigjet e saj për të nisur anijet me emigrantë, raporton ANSA.

"Është e rëndësishme që memorandumi me Tunizinë të çohet përpara .Është një model për t'u përdorur edhe me kombet e tjera", ka thënë ajo.

Kryeministrja italiane ka thënë se kishte "vëmendje dhe ndërgjegjësim të madh" për situatën e emigrantëve dhe "shumë solidaritet".

"Problemi është të shohim se kur dhe në çfarë shkalle, ai solidaritet do të shndërrohet në akte konkrete", ka shtuar ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat