Holandë, fitore e thellë në zgjedhje e populistit dhe anti-islamikut Geert Wilders

Evropë

Holandë, fitore e thellë në zgjedhje e populistit dhe anti-islamikut Geert Wilders

Më: 23 nëntor 2023 Në ora: 16:07
Populisti i ekstremit të djathtë dhe anti-islamiku Geert Wilders

Populisti i ekstremit të djathtë dhe anti-islamiku Geert Wilders pritet të nisë sot bisedimet për gjetjen e aleatëve për formimin e qeverisë së re në Holandë, pas fitores së thellë në zgjedhje, e cila pritet të ketë pasoja jo vetëm në vend, por në gjithë Europën.

Geert Wilders, kundërshtar i Bashkimit Europian dhe mbështetës i kryeministrit hungazez Viktor Orban është zotuar të ndalojë emigracionin dhe të bllokojë zgjerimin e Bashkimit Evropian, përfshirë hyrjen në bllok të Ukrainës.

Ndërsa janë numëruar 98 për qind të votave, forca e tij politike, Partia e Lirisë ka marrë 37 nga 150 vendet në parlament, duke lënë pas koalicionin rival mes laburistëve dhe të majtës me 25 vende, dhe partinë e kryeminsitrit në largim Mark Rutte me 24 vende.

Progami qeverisës i zotit Wilders parashikonte mbajtjen e një referendumi për daljen e Holandës nga Bashkimi Europian, refuzimin e plotë të azilkërkuesve dhe ndalimin e migrantëve në kufijtë holandez.

Programi po ashtu mbështet “çislamizimin” e Holandës. Zoti Wilders thotë se nuk do që në vend të ketë xhami dhe shkolla islamike, edhe pse gjatë fushatës së fundit qëndrimet e tij ndaj Islamit kanë qenë më të buta se në fushatat e shkuara.

Rezultati i zgjedhjeve pritet të trondisë Europën, e cila po përballet me rritje të ideologjisë e ekstremit të djathtë.

Nga Sllovakia, në Spanjë, në Gjermani dhe Poloni, populistë dhe parti të ekstremit të djathtë shënuan fitore ose lëkundën disa vende të Bashkimit Europian.

Këtë të martë, një zëdhënës i Bashkimit Europian tha se rezultatet e zgjedhjeve në Holandë nuk vënë në pikëpyetje anëtarësinë e Holandës në Bashkimin Europian.

“Vazhdojmë të besojmë në praninë e fortë të Holandës në Bashkimin Europian”, tha ai./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat