Ukraina dhe Rusia shënojnë me sulme të ndërsjella fillimin e Vitit të Ri

Evropë

Ukraina dhe Rusia shënojnë me sulme të ndërsjella fillimin e Vitit të Ri

Më: 1 janar 2024 Në ora: 14:18
Foto ilustrim

Rusia dhe Ukraina raportuan sulme vdekjeprurëse të hënën, ndërsa të dyja palët kryen bombardime dhe sulme me dronë dhe Ukraina filloi një vit tjetër përpjekjesh për të zmbrapsur agresionin rus.

Udhëheqësi i vendosur nga Rusia në rajonin e okupuar të Donetskut në Ukrainën lindore tha se bombardimet në qytetin e Donetskut vranë katër persona dhe plagosën 13 të tjerë.

Në Ukrainën jugore, guvernatori Oleg Kiper tha se mbetjet nga një sulm me dronë rusë goditën ndërtesat e banimit në Odesa, duke vrarë një person dhe duke plagosur tre të tjerë.

Mbrojtja ajrore e Ukrainës rrëzoi disa dronë në rajonin Lviv në Ukrainën perëndimore, thanë zyrtarët vendas.

Forcat ajrore të Ukrainës thanë të hënën se Rusia lëshoi 90 dronë, 87 prej të cilëve u rrëzuan nga mbrojtja ajrore ukrainase.

Fjalimi i presidentit Zelenskyy

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha në një fjalim të Vitit të Ri se në vitin 2024, Rusia "do të ndiejë zemërimin e prodhimit tonë vendas", duke përfshirë "të paktën një milion" dronë ukrainas.

Duke aluduar në sulmin e fundit ukrainas ndaj një anijeje ruse në Krime, ai tha se “veprimet tona në Detin e Zi janë shndërruar në kapitull të errët” të historisë së flotës ruse.

"Dhe pa marrë parasysh sa raketa hedh armiku, pa marrë parasysh sa bombardime dhe sulme, të neveritshme, të pamëshirshme, masive, kryen armiku në një përpjekje për të thyer ukrainasit, për t'i frikësuar ata, për të rrëzuar Ukrainën, ne do të vazhdojmë të ngrihemi”, tha presidenti tha Zelenskyy. “Sepse ai që sjell ferrin në tokën tonë një ditë do ta shohë atë nga dritarja e tij”.

Presidenti Zelenskyy tha se ndërsa Ukraina nuk e di me siguri se çfarë do të sjellë viti i ri, "çfarëdo që të sjellë, ne do të jemi më të fortë".

Fjalimi i presidentit Putin

Në një fjalim drejtuar kombit me rastin e Vitit të Ri, i cili ishte regjistruar më parë, presidenti rus Vladimir Putin vlerësoi lartë "shoqërinë e bashkuar" të Rusisë dhe theksoi se Rusia nuk do të tërhiqet kurrë nga lufta e saj kundër Ukrainës.

“Ajo që na bashkoi dhe na bashkon është fati i atdheut, një kuptim i thellë i rëndësisë më të lartë të periudhës historike nëpër të cilën po kalon Rusia”, tha presidenti rus, duke vlerësuar “solidaritetin, mëshirën dhe guximin” e qytetarëve rusë.

Ai lavdëroi gjithashtu forcat e armatosura ruse të përfshira në atë që Kremlini e quan "operacionin e tij të posaçëm ushtarak" në Ukrainë.

"Ne jemi krenar për ju, ju jeni heronj. Ju e ndjeni mbështetjen e gjithë popullit”, tha presidenti rus./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat