BE-ja bën thirrje për një hetim ndërkombëtar të vdekjes së Navalnyt: Përgjegjësia bie mbi Putinin

Evropë

BE-ja bën thirrje për një hetim ndërkombëtar të vdekjes së Navalnyt: Përgjegjësia bie mbi Putinin

Më: 20 shkurt 2024 Në ora: 13:31
Alexei Navalny

Bashkimi Evropian është i indinjuar nga vdekja e politikanit opozitar rus Alexei Navalny, për të cilën përgjegjësia përfundimtare bie mbi presidentin rus Vladimir Putin dhe autoritetet ruse, thuhet në deklaratën e përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell.

“Vdekja e papritur dhe tronditëse e z. Navalny është një tjetër shenjë e represionit të përshpejtuar dhe sistematik në Rusi”, thuhet në deklaratë.

Sipas deklaratës, Rusia duhet të lejojë një hetim ndërkombëtar të pavarur dhe transparent për rrethanat e vdekjes së tij të papritur.

“BE-ja nuk do t’i kursejë përpjekjet për llogaridhënie prej udhëheqjes politike dhe autoriteteve të Rusisë, në koordinim të ngushtë me partnerët tanë; dhe për vendosjen e kostove të mëtejshme për veprimet e tyre, duke përfshirë edhe me sanksione”, thuhet po aty.

Anembanë botës, qytetarët janë mbledhur në nderim të kujtimit të Alexei Navalnyt. Në Rusi, autoritetet u përpoqën ta parandalojnë këtë gjë në një numër të vendeve dhe qindra qytetarë janë arrestuar. Ata duhet të lirohen menjëherë.

“Navalny u kthye me trimëri në Rusi pas atentatit me agjentin nervor “Novichok” të ndaluar sipas Konventës për Armët Kimike, në të cilën Federata Ruse është shtet palë. Ai po vuante disa dënime të motivuara politikisht në një koloni të rreptë penale në Siberi, ku u zhvendos për t’u izoluar nga pjesa tjetër e botës. Familjes së tij i ishte kufizuar qasja tek ai. Avokatët e tij janë nën presion të vazhdueshëm dhe tre prej tyre janë në mbajtje prej tetorit 2023”, vijon deklarata.

Bashkimi Evropian e ka dënuar vazhdimisht në termat më të ashpër të mundshëm helmimin e tij dhe të gjitha vendimet e motivuara politikisht kundër tij për aktivitetet e tij legjitime politike dhe kundër korrupsionit, duke kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm dhe pa kushte. BE-ja, në mënyrë të përsëritur dhe duke iu drejtuar autoriteteve në Moskë, i ka bërë thirrje Rusisë që të garantojë sigurinë dhe shëndetin e tij, por më kot.

“Gjatë gjithë jetës së tij, Navalny ka treguar guxim të pabesueshëm, përkushtim ndaj vendit dhe bashkëqytetarëve të tij, si dhe vendosmëri në punën kundër korrupsionit që ai zhvilloi në mbarë Rusinë, duke bërë për vete shumë qytetarë në mbarë vendin. Kjo është arsyeja pse Putini dhe regjimi i tij kishin frikë prej tij, gjithashtu në kontekstin e vazhdimit të luftës së paligjshme të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe zgjedhjeve presidenciale ruse në mars.”

Sipas deklaratës, vdekja e papritur dhe tronditëse e Navalnyt është një tjetër shenjë e represionit të përshpejtuar dhe sistematik në Rusi.

Bashkimi Evropian përsërit thirrjen e vet ndaj Rusisë që t’i lirojë menjëherë dhe pa kushte të gjithë të burgosurit e tjerë politikë, përfshirë Yuri Dmitriev, Vladimir Kara-Murza, Ilya Yashin, Alexei Gorinov, Lilia Chanysheva, Ksenia Fadeeva, Alexandra Skochilenko dhe Ivan Safronov.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat