LIVE: Amerika dhe BE-ja i japin ‘goditjen’ e radhës Rusisë, Putin befason me njoftimin e fundit

Evropë

LIVE: Amerika dhe BE-ja i japin ‘goditjen’ e radhës Rusisë, Putin befason me njoftimin e fundit

Nga: Bota sot Më: 23 shkurt 2024 Në ora: 08:32 Përditësuar në ora: 09:04 më 23.02.2024
Vladimir Putin

Medvedev nuk tërhiqet nga lufta, bën paralajmërimin e frikshëm

Ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, ka thënë se trupat ushtarake do të shkojnë shumë më tej në Ukrainë, madje sipas tij “një ditë mund të shkojnë drejt Kievit”.

Medvedev, i cili aktualisht është nënkryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, ka shtuar se Rusia duhet të punojë shumë më tepër në luftë me Ukrainën.

“Ku duhet të ndalemi? Nuk e di. Do të duhet të punojmë shumë më shumë dhe seriozisht. A do të jetë Kievi? Po, ndoshta duhet të jetë Kievi, nëse jo tani, atëherë pas ca kohësh, ndoshta në ndonjë fazë tjetër të zhvillimit të kësaj lufte”, është shprehur ai, raporton Reuters.

Medvedev, që dikur konsiderohej “lider modern”, ka ndërruar qasjen me agresionin rus në Ukrainë.

Ai e ka sulmuar Perëndimin, duke paralajmëruar rrezikun e një apokalipsi bërthamor.

Në prag të përvjetorit të dytë të luftës, Ukraina është konsideruar më e përgatitur dhe më e armatosur. Një pako ndihme i është premtuar nga autoritetet e SHBA-së

Një ditë më parë është raportuar për vrasjen e mbi 65 ushtarëve rusë nëpërmjet sistemit amerikan HIMARS.

Vdekja e Navalny/ Cameron ia plas në sy ministrit Lavrov: Putin dhe regjimi rus janë përgjegjës

Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, iu drejtua homologut të tij rus duke akuzuar Moskën për vrasjen e Alexei Navalny, por Sergei Lavrov shmangu shikimin,  duke u fokusuar në celular.

Cameron përfitoi nga një takim i ministrave të jashtëm të G20 në Rio de Zhaneiro, përgatitor për samitin e nëntorit, për të sulmuar kreun e diplomacisë ruse për vdekjen e Navalny, kritikut më të vendosur të Vladimir Putin, të premten e kaluar në koloninë famëkeqe penale “Policos Lykos” në veri të rrethit arktik.

“Rusia duhet të paguajë për agresionin e saj”, tha Cameron.

“Nuk ka çështje më serioze për botën. Dhe e gjithë bota duhet të mbështesë Ukrainën dhe të denoncojë paligjshmërinë e kryer nga Putini dhe bashkëpunëtorët e tij."

Duke folur më vonë për BBC, Cameron tha se homologët e tij francezë, gjermanë dhe kanadezë i ishin referuar gjithashtu Navalny në fjalimet e tyre dhe theksuan se ata e konsideronin Putinin dhe shtetin rus përgjegjës për vdekjen e tij.

Ish-presidenti rus habit me deklaratën e pazakontë ndaj bashkëshortes së Navalnit: Është e lumtur që ai vdiq

“Shikoni fytyrën e qeshur dhe të lumtur të vejushës së Navalny. Është ndjesia se ajo e priste këtë ngjarje gjatë gjithë këtyre viteve për të nisur në mënyrë madhështore jetën e saj politike. Dhe ajo e tha atë. E gjithë kjo është shumë e trishtueshme”.

Kështu deklaroi ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, në një intervistë për mediat e Moskës.

Zëdhënësja e ekipit të Navalny, Kira Yarmysh, postoi videon e kësaj deklarate në X, duke e shoqëruar me një përgjigje për Medvedev.

“Ne do të regjistrojmë çdo fjalë, nuk do të harrojmë asnjë prej tyre dhe pastaj do ta bëjmë atë të përgjigjet për secilën”, shkroi ajo.

“Një bir ku*ve i çmendur”/ Putin reagon ashpër ndaj Bidenit

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka reaguar në lidhje me deklaratat e homologut të tij, Joe Biden i cili ka shpërthyer ndaj tij me ofendime. Putin i cilësoi si të pasjellshme dhe të vrazhda fyerjet e Biden ndaj tij. 

Presidenti amerikan e renditi homologun e tij rus ndër kërcënimet ekzistenciale për njerëzimin ndërsa u shpreh se ai është një bir kurve i çmendur.

“Ne kemi një bir kurve të çmendur, si Putin, dhe të tjerë. Dhe ne gjithmonë duhet të shqetësohemi për një konflikt bërthamor. Por kërcënimi ekzistencial për njerëzimin është klima....Ai, Trump, po e krahason veten me Navalny dhe thotë se për shkak se vendi ynë është bërë një vend komunist, ai u persekutua, ashtu si u persekutua Navalny. Nga vjen kjo dreqin”, tha Biden, sipas gazetarëve në dhomë.

I pyetur nga një gazetar për të komentuar deklaratat e presidentit amerikan Putin tha shkurt se sjellja e tij ishte e vrazhdë.

Megjithatë, ai përsëriti se preferon Joe Biden sesa Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, sepse presidenti aktual demokrat i SHBA-së është më i parashikueshëm në krahasim me paraardhësin e tij republikan. Ai shtoi se është i gatshëm të punojë me këdo që zgjidhet president i Shteteve të Bashkuara.

Putin prezanton “Mjellmën e Bardhë”, avioni supersonik i shtohet forcave ruse - ja pse ai është kaq special për presidentin

Presidenti rus Vladimir Putin thuhet se ka fluturuar me një raketë të modernizuar Tu-160M. Sipas mediave ruse, ai po pilotonte atë aeroplan.Më herët gjatë ditës së djeshme ai kishte mbërritur në pistën e fabrikës së avionëve “SP Gorbunova” në Kazan.

Fluturimi i Putinit në aeroplan, të cilin ata e quajnë "Mjellma e bardhë", zgjati rreth 30 minuta. Kur u pyet për itinerarin, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u përgjigj se ishte një sekret ushtarak, raporton RIA Novosti.

Tu-160M është një version i modernizuar i avionit Tu-160, i destinuar për të goditur objektiva të rëndësishëm me armë bërthamore dhe konvencionale, shton Sputnik. Është avioni më i madh supersonik në historinë e aviacionit ushtarak dhe avioni më i rëndë luftarak në botë. Kjo nuk është hera e parë që udhëheqësi i Rusisë merr drejtimin pasi ai tashmë fluturoi në gusht 2005 me bombarduesin "Tu-160", pra versionin e tij të mëparshëm përpara se të modernizohej.

Putin, si president në detyrë, fluturoi nga Krasnodar në Çeçeni me një Su-27 në mars 2000 dhe u kthye në të njëjtën mënyrë. Presidenti i Rusisë falënderoi kreun e Tatarstanit, Rustam Minikhanov, për ndihmën e tij në organizimin e "Lojërave të së ardhmes" në Kazan, duke theksuar nivelin e lartë të organizimit të ngjarjes ndërkombëtare.

“Është bërë në një nivel shumë të lartë. Epo, si zakonisht në Tatarstan, ju e dini se si bëhet”, shtoi Putin. Putin theksoi se "Lojërat e së Ardhmes" nuk janë një ngjarje në nivel republikan apo kombëtar, por në nivel ndërkombëtar. “Lojërat e së ardhmes” u hapën zyrtarisht mbrëmë në Kazan në prani të zyrtarëve të shumtë, mes të cilëve edhe presidenti i Republikës Srpska Milorad Dodik.

SHBA masa të reja ndaj makinerisë ruse të luftës

Shtetet e Bashkuara po ndërmarrin veprime të reja që synojnë të godasin atë që zyrtarët amerikanë e përshkruajnë si “makineria ruse e luftës”, vetëm pak ditë pasi bota do të shënojë përvjetorin e dytë të sulmit të Rusisë në Ukrainë.

Departamenti i Drejtësisë njoftoi të enjten progres në pesë çështje të veçanta ndaj oligarkëve rusë dhe bashkëpunëtorëve të tyre financiarë, përfshirë arrestimin e dy ndërmjetësve me seli në Shtetet e Bashkuara dhe një rast pranimi të fajësisë për pastrim parash.

Gjithashtu, Shtetet e Bashkuara vendosën të sekuestrojnë apartamente luksoze me vlerë 2.5 milionë dollarë në Majami, të Floridas, në kuadrin e procesit gjyqësor ndaj oligarkut rus Viktor Perevalov.

Lajmin e plotë lexojeni KETU

Stoltenberg: NATO, e përkushtuar që Ukraina të triumfojë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se aleatët e aleancës janë të përkushtuar që të bëjnë më shumë për t'u siguruar që Ukraina “të triumfojë” në betejën e saj për t'i zmbrapsur forcat pushtuese ruse, me aleancën që ka “ndryshuar ndjeshëm” qëndrimin e saj, duke i ofruar armë më të avancuara Kievit.

Në një intervistë dhënë për Radion Evropa e Lirë në përvjetorin e dytë të nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, shefi i NATO-s tha se solidariteti me Ukrainën nuk është vetëm korrekt, por po ashtu “është në interes të sigurisë sonë”.

“Ne mund të presim që aleatët e NATO-s të bëjnë më shumë për t’u siguruar që Ukraina të triumfojë, sepse kjo është thënë shumë qartë nga aleatët e NATO-s”, tha Stoltenberg.

Lajmin e plotë lexojeni KETU

Rusia nuk i ndal provokimet, kërcënon të rrëzojë aeroplanët francezë në Detin e Zi - ja pse janë rritur tensionet mes dy vendeve

Rusia nuk i ka ndalur provokimet, kësaj here duke kërcënuar të rrëzojë aeroplanët francezë mbi Detin e Zi ndërsa ata janë të angazhuar në patrullimin e hapësirës ajrore ndërkombëtare. Ministri francez i Mbrojtjes Sebastien Lecornu foli për një pikë kthese të mundshme në ekuilibrin gjeopolitik në kontekstin e luftës në Ukrainë, duke përmendur një qëndrim "veçanërisht agresiv" nga ana e Moskës, i cili të kujton sjelljen e Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë.

"Një muaj më parë, për t'ju dhënë një shembull shumë konkret, një sistem rus i kontrollit të trafikut ajror kërcënoi se do të rrëzonte aeroplanët francezë në Detin e Zi ndërsa ne ishim në një zonë të lirë ndërkombëtare ku patrullonim," tha ministri për radion RTL.

“Sjellja e Rusisë në vitin 2024 nuk ka asnjë lidhje me atë që pamë në 2022 dhe, natyrisht, përpara agresionit në Ukrainë”, shtoi ai.

"Kjo shpjegohet me faktin se Rusia është në vështirësi në fushën e betejës në Ukrainë," tha ai.

"Dhe disa muaj më parë - vazhdoi Lecornu - një anije luftarake ruse iu afrua gjirit të Seine, në kufirin e ujërave të autorizuar territorialisht, sikur të donte të frikësonte Francën".

Ministri duket se i referohet nëndetëses ruse Krasnodar të kapur shumë afër bregdetit francez.  Në të njëjtat orë Ministria e Jashtme britanike njoftoi një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë për luftën në Ukrainë, me qëllim uljen e aftësive ushtarake të Moskës.

Masat synojnë të vënë në shënjestër njerëzit dhe kompanitë që furnizojnë municione, eksplozivë, raketa dhe sisteme të lëshimit të raketave. Disa burime të të ardhurave për Rusinë si metalet, diamantet dhe energjia, janë gjithashtu subjekt i kufizimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat