​Zviceranët mbajnë referendum për pensionin e 13-të

Evropë

​Zviceranët mbajnë referendum për pensionin e 13-të

Më: 3 mars 2024 Në ora: 15:02
Foto ilustrim

Zvicra, popullsia e së cilës po plaket dhe po përballet me rritjen e kostove të jetesës, po zhvillon sot një referendum mbi dy propozimet kryesore për pensionistët - pagimin e pensionit të 13-të dhe rritjen e moshës së daljes në pension.

Një propozim për të rritur gradualisht moshën e pensionit nga 65 në 66 gjatë dhjetë vjetëve të ardhshme për të siguruar që sistemi i pensioneve të financohet plotësisht, duket i dënuar të dështojë.

Pak më pak se dy vjet më parë, votuesit zviceranë vendosën ngushtë që të rrisin moshën e pensionit për gratë nga 64 në 65 vjeç, siç është rasti për burrat.

Propozimi i fundit vjen nga të rinjtë e Partisë Liberale të krahut të djathtë.

Por duket se kjo nismë nuk ka asnjë shans për sukses. Sondazhet e fundit tregojnë se vetëm 35 për qind e të anketuarve e mbështesin një vendim të tillë dhe 63 për qind e kundërshtojnë atë.

Sa i përket pensionit të 13-të, sindikatat zvicerane kanë paraqitur një propozim për të futur një përfitim mujor social shtesë për të ndihmuar pensionistët për shkak të rritjes së kostove të jetesës në vendin e pasur alpin.

Iniciativa e quajtur “Jetë më e mirë në pension”, kërkon që çdo vit të paguhet një pension i 13-të, si paga e 13-të që marrin shumë punëtorë në Zvicër.

Sondazhet tregojnë se shumica e zviceranëve e mbështesin, ndonëse numri i mbështetësve duket se është në rënie dhe ende nuk është e sigurt që propozimi do të kalojë.

Përfitimet sociale mujore në Zvicër mund të jenë deri në 2.450 franga zvicerane për individët dhe 3.675 franga për çiftet e martuara.

Mund të duket shumë, por në një vend që është ndër më të shtrenjtët në botë, nuk është kështu.

Qiraja për një apartament mesatar me dy dhoma në qytetet zvicerane është të paktën 3.000 franga dhe kafeja kushton më shumë se pesë franga.

Nëse zviceranët i japin dritën jeshile atij propozimi, nuk do të ishin të parët në Evropë. Lihtenshtajni fqinj, një tjetër vend i shtrenjtë që përdor frangën zvicerane, ka një sistem të ngjashëm prej vitesh.

Partitë e krahut të majtë e mbështesin nismën, ndërsa partitë e djathta dhe të qendrës e kundërshtojnë ashpër atë, ashtu si qeveria dhe parlamenti zviceran.

Qeveria thekson se masa do të kushtonte më shumë se katër miliardë franga zvicerane në vit, duke paralajmëruar se do të kërkonte rritje taksash dhe mund të kërcënonte stabilitetin financiar të sistemit të sigurimeve shoqërore.

“Nëse nisma do të realizohet, shumë pensionistë do të marrin një pagesë të 13-të të Sigurimeve Shoqërore, edhe pse realisht nuk kanë nevojë për të”, paralajmëroi qeveria.

Për Partinë Popullore Zvicerane të ekstremit të djathtë, kjo nismë "e papërgjegjshme" do të lejojë parazitët të shfrytëzojnë sistemin e sigurimeve shoqërore.

Partia më e madhe e Zvicrës po përpiqet të tërheqë mbështetjen e votuesve me reklama, duke përfshirë një ku tregohet një kartëmonedhë 100 frangash.

Fushata duket se ka një efekt dhe sondazhi i fundit i opinionit publik, i kryer nga gfs.bern për transmetuesin publik SSR, tregoi se 53 për qind e të anketuarve e mbështesin nismën, ndërsa 43 për qind thanë se ishin kundër saj.

Në një anketë të ngjashme më pak se një muaj më parë, mbështetja për iniciativën arriti në 61 për qind. Për të kaluar, nisma duhet të marrë mbështetjen e shumicës nga votuesit, por gjithashtu duhet të arrijë një shumicë në të paktën gjysmën e 26 kantoneve të Zvicrës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat