Berlini kritika ndaj Rusisë pas publikimit të audio regjistrimit

Evropë

Berlini kritika ndaj Rusisë pas publikimit të audio regjistrimit

Më: 3 mars 2024 Në ora: 19:22
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius

Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius tha sot se Rusia po kryente një luftë informacioni që synon të nxisë përçarje në Gjermani. Ky ishte reagimi i tij i parë rreth publikimit në Rusi të një regjistrimi zanor të një takimi të zyrtarëve të lartë ushtarakë gjermanë.

“Incidenti është shumë më tepër se interceptim dhe publikim i një bisede... Është pjesë e një lufte informacioni që po bën Putini”, tha ministri Pistorius. “Është një sulm dezinformimi. Synon të dëmtojë unitetin tonë. Për rrjedhojë, duhet të reagojmë ndaj tij me kujdes të veçantë, por jo me më pak vendosmëri”.

Ministri gjerman shtoi se askush nuk beson se kjo ishte thjesht një koincidencë në javën pas shërbimit funeral për udhëheqës opozitar rus Alexei Navalny.

Të shtunën, Gjermania njoftoi se ka filluar hetimet për atë që dyshohet se është përgjim i një bisede telefonike, pasi Moska tha se regjistrimi i një oficeri gjerman tregonte se ai po bisedonte rreth armatimeve për Ukrainën dhe sulmeve të mundshme nga Kievi në një urë në Krime.

Po dje, duke folur gjatë një vizite në Romë, Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se " çështja po shqyrtohej me shumë kujdes".

Image
Kancelari gjerman Olaf Scholz duke folur në Romë, Itali (2 mars 2024)

Regjistrimi u posta në rrjetin social Telegram nga Margarita Simonyan, një gazetare e televizionit shtetëror rus dhe drejtuese e kanalit “Russia Today”.

Agjencia e lajmeve Reuters dëgjoi regjistrimin 38-minutësh, por nuk mundi të konfirmonte në mënyrë të pavarur vërtetësinë e tij.

Në bisedë, personat e përfshirë diskutojnë dërgimin e mundshëm të raketave Taurus në Kiev, një pretendim që kancelari Scholz deri më tani nuk e ka pranuar. Ata gjithashtu flasin për stërvitjen e ushtarëve ukrainas dhe objektivat e mundshme ushtarake./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat