Sulmi në Rusi rikthen jehun e terrorit në Perëndim

Evropë

Sulmi në Rusi rikthen jehun e terrorit në Perëndim

Më: 1 prill 2024 Në ora: 15:22
Njerëzit mblidhen pranë një memoriali të improvizuar afër ndërtesës së sallës së koncerteve Crocus, ku ndodhi sulmi vdekjeprurës, në periferi të Moskës, 29 mars 2024.

Në mars të vitit 2019, milicitë kurde dhe arabe, të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, dëbuan luftëtarët e Shtetit Islamik nga fshati Baghuz në Sirinë lindore, që ishte bastioni i fundit i grupit militant.

Nga ajo kohë, ky grup - i cili në kulmin e tij, mes viteve 2014 dhe 2015, kontrollonte pjesë të mëdha të Sirisë dhe Irakut - u shpartallua në disa celula, nga Afrika Perëndimore deri në Azinë Juglindore.

Dega që njihet si Shteti Islamik Khorasan dhe është aktive në Afganistan, Pakistan dhe Iran, mori këtë vit përgjegjësinë për dy sulme të mëdha.

Në janar tha se ka kryer sulmet e dyfishta me bomba në Kerman të Iranit, ku mbetën të vrarë së paku 84 persona dhe të plagosur qindra të tjerë.

Në datën 22 të këtij muaji, Shteti Islamik Khorasan mori përgjegjësinë edhe për sulmin në një sallë koncertesh në periferi të Moskës, ku u vranë 139 persona dhe u plagosën mbi 180 të tjerë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, nuk e përmendi me emër atë, por fajësoi ekstremistët për sulmin.

“Ne e dimë se krimi është kryer nga islamistët radikalë, ideologjinë e të cilëve vetë bota islame e ka luftuar me shekuj”, tha Putin.

Pas sulmit në Rusi, Qeveria e Francës mori vendim për të rritur alarmin për terror në nivelin më të lartë.

Në një postim në platformën X, kryeministri Gabriel Attal tha se vendimi është dakorduar duke pasur parasysh “përgjegjësinë që ka marrë Shteti Islamik për sulmin” pranë Moskës dhe kërcënimet “që rëndojnë mbi vendin tonë”.

Pas këtij njoftimi, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se personat e armatosur, që kryen sulmin në Rusi, kanë qenë pjesë e një dege të Shtetit Islamik, e cila ka bërë përpjekje të dështuara për të sulmuar Francën gjatë muajve të fundit.

Në Itali, Ministria e Brendshme e vendit tha, po ashtu, se policia do ta rrisë nivelin e vigjiliencës pas sulmit në Rusi.

“Në pritje të Festës së Pashkëve, është rënë dakord për intensifikimin e aktiviteteve të vëzhgimit dhe kontrollit nga policia. Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet të gjitha objektivave të ndjeshme”, tha Ministria e Brendshme italiane.

Rreziku terrorist në Evropë, në fakt, është rritur që në muajt e fundit të vitit të kaluar, kur Hamasi - grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera - ka sulmuar Izraelin, duke nxitur një luftë brutale në Gazë.

Atëkohë, komisionarja evropiane për Çështje të Brendshme, Ylva Johansson, tha se shkaku i luftës midis Izraelit dhe Hamasit dhe polarizimit që shkakton ajo në shoqërinë evropiane, “ekziston një rrezik i madh për sulme terroriste në Bashkimin Evropian”.

Në Gjermani, Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës tha se rreziku për sulme “është real dhe më i lartë seç ka qenë për një kohë të gjatë”.

Disa vende, përfshirë Belgjikën, Holandën dhe Suedinë ngritën alarmet e sigurisë.

Duke dëshmuar këtë muaj para një komiteti të Senatit amerikan, drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare në SHBA, Avril Haines, tha se kërcënimi nga Shteti Islamik mbetet shqetësim i konsiderueshëm.

“Al Kaida dhe Shteti Islamik, të frymëzuar nga Hamasi, i kanë udhëzuar mbështetësit të kryejnë sulme kundër interesave izraelite dhe amerikane. Ne kemi parë se si individët po frymëzohen të kryejnë akte antisemitike dhe terror islamofobik në të gjithë botën”, tha Haines.

Por, si është rikuperuar Shteti Islamik, pesë vjet pas disfatës?

Michael Kugelman, drejtor i Institutit të Azisë Jugore pranë Qendrës Wilson në Uashington, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se ai, përkundër reduktimit drastik, nuk është zhdukur kurrë.

“Shteti Islamik Khorasan, i cili gjithmonë ka qenë i fuqishëm dhe aktiv, ka përfituar nga udhëheqësit talibanë në Afganistan, edhe pse ata mund të jenë rivalë. Ai ka arritur t’i forcojë kapacitetet dhe të përbëjë kërcënim përtej Afganistanit. Kjo sugjeron se Shteti Islamik në tërësi dhe Shteti Islamik Khorasan në veçanti mund të shihen vërtet si kërcënim i madh për Evropën”, thotë Kugelman.

Këtyre deklaratave u bën jehonë edhe Lorenzo Vidino, drejtor i Programit për Ekstremizmin në Universitetin George Washington.

Duke folur për Exposenë, ai shton se Shteti Islamik është bërë më relevant si sfidë që nga shpërthimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit.

“Nuk ka dyshim se, nga 7 tetori e këndej, ka pasur emocione të fuqishme. Bazuar në përvojat e mëparshme, në dinamikat e radikalizmit gjatë 20 vjetëve të kaluar, është e qartë se kur ndodh një ngjarje si kjo, radikalizmi rritet në pjesë të ndryshme të botës, e në mënyrë specifike në Perëndim”, thotë Vidino.

Edhe pse thekson se asgjë nuk është e sigurt, Vidino shpreh shqetësimin se propaganda e Shtetit Islamik tani, sidomos ajo që lidhet me luftën mes Izraelit dhe Hamasit, mund të jetë më efektive në tërheqjen e rekrutëve në Evropë.

Në vitin 2022, sipas agjencisë evropiane të policisë, Europol, në Bashkimin Evropian kanë ndodhur 16 sulme terroriste dhe 12 të tjera kanë dështuar ose janë parandaluar. Katër persona kanë humbur jetën - dy në sulme xhihadiste dhe dy nga terrori i krahut të djathtë.

Në vitet 2015 dhe 2016, sipas Europol-it, janë vrarë 151 njerëz, përkatësisht 142.

Në fund të vitit të kaluar, policia gjermane ka arrestuar tre persona, nën dyshimet se kanë planifikuar një sulm në katedralen e Këlnit, natën e Vitit të Ri.

Të dyshuarit është zbuluar se kanë pasur lidhje me dikë me lidhje të dyshuara me Shtetin Islamik, i cili ka qenë në paraburgim.

I pyetur se a ka rrezik për një sulm të stilit të Moskës në Evropë, Vidino, nga Universiteti George Washington, përgjigjet:

“Qëllimi i Shtetit Islamik për të kryer sulme në Perëndim, ka ekzistuar gjithmonë. Edhe pse organizata është reduktuar viteve të fundit, ky qëllim ka vazhduar. Çështja është te kapacitetet e tij”.

“Dhe unë mendoj se ka indikacione se Shteti Islamik Khorasan po ndërton kapacitetet. Sulmi në Iran, sulmi në Moskë dhe disa forma të sulmeve në Evropë tregojnë se grupi i ka zhvilluar këto kapacitete”, thotë ai.

Një raport i Ekipit të Monitorimit të Kombeve të Bashkuara, i publikuar në vitin 2023, ka vlerësuar se numri i luftëtarëve të Shtetit Islamik Khorasan sillet mes 4.000 dhe 6.000 dhe se ata nuk vijnë vetëm nga Afganistani dhe Pakistani, por edhe nga Azerbajxhani, Irani, Turqia, Rusia dhe disa vende të Azisë Qendrore.

Kugelman, nga Qendra Wilson, thotë se për të zvogëluar rrezikun e terrorizmit, vendet duhet të shkëmbejnë informacione të inteligjencës dhe t’i zgjerojnë përpjekjet e tilla kur është e mundur.

Megjithatë, ai thekson se kjo nuk është e lehtë në disa raste.

“Një nga sfidat me të cilat përballet Evropa - ndryshe nga vendet që kanë regjime autoritare - është se ajo ka sisteme të hapura dhe demokratike, që do të thotë se është më e vështirë të kontrollohen hyrje-daljet e militantëve. Është e vështirë të shtrëngohet një vend që është demokratik”, thotë Kugelman.

Kugelman shton se edhe vendet që nuk janë aleate, kanë kanale përmes të cilave ndajnë informacione të inteligjencës, sidomos kur kanë të bëjnë me sulme të mundshme kundër civilëve.

Ai kujton se informacione të tilla SHBA-ja ka ndarë, javë më parë, me Rusinë.

Në paralajmërimin e lëshuar më 7 mars, SHBA-ja ka thënë se “ekstremistët kanë plane të afërta për të shënjestruar tubimet e mëdha në Moskë” dhe ka përmendur në mënyrë specifike koncertet.

Tri ditë para sulmeve në periferi të Moskës, Putin mbajti një fjalim para shefave të tij të inteligjencës, gjatë të cilit i hodhi poshtë, siç u shpreh, paralajmërimet “provokuese” të Perëndimit për sulme terroriste.

“E gjithë kjo i ngjan shantazhit të drejtpërdrejtë dhe synimit për të frikësuar dhe destabilizuar shoqërinë tonë”, tha Putin.

Kugelman thotë se nuk është ende e qartë natyra e informacioneve që SHBA-ja ka ndarë me Rusinë. Sipas tij, ndodh që inteligjenca të jetë e pakuptueshme dhe e vështirë për t’u konsideruar.

“Bashkëpunimi i ngushtë për çështje të sigurisë duhet të ofrojë mundësi më të mira për të arritur përpara kohe deri tek ai lloj informacioni, i cili u mundëson qeverive t’i parandalojnë sulmet përpara se të ndodhin”, thotë Kugelman.

Bashkëbiseduesit e REL-it kujtojnë se Shteti Islamik, në dekadën e fundit, ka sulmuar tri herë sallat e koncerteve në Hemisferën Veriore - në Moskë më 22 mars, në Paris në nëntor të vitit 2015 dhe në Mançester në maj të vitit 2017.

Një ngjarje e madhe që pritet këtë verë dhe që duhet pasur nën vëzhgim të posaçëm, sipas tyre, është Olimpiada në Paris. Atë e përmendi edhe kryeministri i Francës kur mori vendimin për rritjen e alarmit të sigurisë..REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat