Disa anëtarë të Grupit për Rumaninë distancohen nga thirrja për ndihmë drejtuar Rusisë dhe Kinës

Evropë

Disa anëtarë të Grupit për Rumaninë distancohen nga thirrja për ndihmë drejtuar Rusisë dhe Kinës

Më: 9 prill 2024 Në ora: 08:55
Një grua duke valëvitur flamurin rumun gjatë një proteste në Bukuresht.

Bashkëthemeluesit e një organizate që promovon ide konspirative që quhet Grupi për Rumaninë (GPR) po e distancojnë veten nga grupi dhe mesazhi i tij antiperëndimor, pasi ky grup bëri thirrje për ndihmë kineze dhe ndërhyrje ruse për të rivendosur “sovranitetin” e humbur të Rumanisë.

Në javët e fundit, grup – që përfshin pedagogë universitarë, një ish-gjyqtar, ekonomisë dhe aktorë të shquar – u bëri thirrje presidentit rus, Vladimir Putin, dhe atij kinez, Xi Jinping, për shpëtim nga një “regjim politik judeo-euroatlantik”. Disa persona që janë larguar nga GPR-ja kanë kritikuar këtë mesazh, duke e cilësuar “të turpshëm” dhe “të pafalshëm”, ndërkaq një njohës i njohur politik në Rumani e ka përshkruar këtë mesazh si një rezultat të rrezikshëm të “halucinacioneve”.

Më 26 mars, në një peticion online të titulluar Komunikata nr.9 e raporteve me Federatën Ruse, drejtuar Putinit dhe udhëheqësve të tjerë rusë, Grupi për Rumaninë renditi ankesat e perceptuara racore, etno-nacionaliste dhe historike dhe tha se “Rumania ka rënë nga statusi i një kolonie në statusin e një territori nën pushtimin e huaj ushtarak. Ne shpresojmë, zoti president Putin, që ju do të ndihmoni Rumaninë në momentet e ardhshme historike që të bëhet sërish një shtet sovran”. Deri më 5 prill, peticioni mblodhi 17 nënshkrime.

Disa ditë më vonë, Komunikata nr.10 iu drejtua Kinës dhe iu bë thirrje Xi-së dhe Pekinit të ndihmojnë Rumaninë “të shpëtojë nga moszhvillimi për të cilin u dënua nga judeo-perëndimorët që pushtuan vendin në dekadat pas vrasjes së ish-presidentit, Nicolae Ceausescu”, diktatori i urryer komunist i cili u ekzekutua së bashku me gruan e tij në dhjetor të vitit 1989.

Opinioni publik në Rumani dhe veprimet e Qeverisë gjerësisht kanë qenë të bashkuara në kundërshtimin e tyre ndaj pushtimit rus të Ukrainës, që nisi më 2022, përfshirë edhe me mbështetjen për t’i ofruar Kievit ndihmë ushtarake së bashku me anëtarët e tjerë të NATO-s.

Të kontaktuar nga Shërbimi Rumun i Radios Evropa e Lirë një numër i themeluesve të Grupit për Rumaninë dhe figura të tjera të shquara mohuan se ata kishin gisht në thirrjet drejtuar Moskës dhe Pekinit.

Aktori Florin Zamfirescu, i cili ishte anëtar i grupit që një dekadë dhe ishte zëdhënës i grupit deri në janar, tha se ai kundërshton kthimin kah Moska, duke shtuar se është larguar nga organizata pasi ka parë tekstin e një komunikate të mëparshme.

“Po, ne kemi situatë të vështirë në BE, por adresimi i kundërshtarit, siç propozohet nga personi që ka shkruar komunikatën, është i pafalshëm”, tha Zamfirescu përmes një deklarate me shkrim. “Ne jemi në kampin evropian dhe e vetmja mënyrë për të rregulluar diçka me të cilën ne nuk pajtohemi është mes nesh, e jo të ndarë”.

Zamfirescu e krahasoi komunikatën drejtuar Putinit me kapitullimin e komunistëve rumunë më 1944, kur “ata ia dorëzuan vendin sovjetikëve”.

Një prej nënshkruesve të supozuar, aktori dhe regjisori Dan Puric, i tha REL-it se ai u tërhoq nga Grupi për Rumaninë shumë kohë më parë, edhe pse ai nuk specifikoi se kur. Në një dokument strategjik të organizatës, që daton në janar të këtij viti, ai renditet si anëtar i grupit. “Pavarësisht nëse janë Shtetet e Bashkuara apo Federata Ruse, pozicioni ynë duhet të jetë i balancuar, dinjitoz dhe i lirë nga qëndrime të tilla servile”, tha Puric. “Këtë peticion unë e konsideroj të turpshëm”.

Adrian Toni Neacsu, një avokat i njohur dhe shërbyes civil ishte në mesin e persona që deri në dokumentin e janarit figuronte si anëtar i grupit, po ashtu e ka distancuar veten nga komunikatat. “Nuk kam nënshkruar asnjë peticion dhe nuk kam diskutuar për to”, tha ai. “Nuk merrem me politikë dhe qëndrimet e mia janë ekskluzivisht për çështje ligjore dhe kushtetuese”.

Grupi për Rumaninë njoftoi për formimin e tij si nismë civile më 2015, duke prezantuar të ashtuquajturën “Kushtetutë të Qytetarëve” që përshkruan zgjidhje radikale populiste për të rimarrë pushtetin politik dhe ekonomik dhe për rivendosur vlerat morale dhe shpirtërore. Grupi pretendoi se “një mafi financiare transnacionale vodhi shtetin tonë” dhe vendosi si qëllim fitimin e zgjedhjeve parlamentare, presidenciale, lokale dhe të Parlamentit Evropian me qëllim që të rimarrë Rumaninë, duke “pastruar udhëheqjen shtetërore nga tradhtarët dhe duke i zëvendësuar ata me patriotë”.

Por, grupi kurrë nuk fitoi mbështetje serioze politike dhe disa herë e ribrendoi veten, përfshirë pas marsit të vitit 2019 kur vdiq arkitekti i tij ideologjik, ekonomisti Constantin Cojocaru.

Në janar, përmes një deklarate grupi tha se udhëheqja e tij po krijonte një “entitet civil për debat lidhur me problemet thelbësore me të cilat po përballet shoqëria jonë”. Ai tha se objektivi ishte të “sigurohet rivendosja e të drejtave pronësore të rumunëve mbi vendin e tyre dhe të mbrohen vlerat identitare të qytetërimit rumun”.

Që nga njoftimi, llogaritë zyrtare të Grupit për Rumaninë kanë qenë më aktive, duke shpërndarë mesazhe që kryesisht janë të krishtera dhe nacionaliste, por po ashtu duke sulmuar grupet politike në Rumani që anojnë kah liberalët apo kah Perëndimi, dhe duke paralajmëruar kundër korrupsionit dhe keqinterpretimeve të historisë. Në mesin e temave të tjera konspirative, grupi e ka përshkruar luftën në Ukrainë si konflikt “mes nacionalistëve rusë dhe fuqisë hebraike në mbarë botën” dhe ka cituar “burime mirë të informuara” për të riinterpretuar Revolucionin Rus si një konspiracion hebre.

Strategjia e re duet se ka çuar direkt në apelet ndaj Xi-së dhe Putinit dhe erdhi si tronditje për disa prej anëtarëve dhe mbështetësve të kamotshëm. “Është e qartë se teksti [i komunikatave] u shkrua në një nivel të halucinacioneve nga dikush që beson se ai mund të ndërhyjë me qeveritë e mëdha të botës për të shpëtuar Rumaninë nga fatkeqësia e supozuar politiko-ekonomike”, tha Andrei Taranu, zëvendësrektor i Universitetit Kombëtar për Studime Politike dhe Administratë Publike në Bukuresht (SNSPA), i cili nuk është i lidhur me Grupin për Rumaninë.

Ishte e palogjikshme, tha ai, që të ftoheshin udhëheqësit e huaj për të siguruar mbijetesën e Rumanisë dhe ai pyeti nëse një kërkesë e tillë për ndërhyrje nga jashtë në kontekstin e luftës aktuale bë Ukrainë rrezikon që të nisë një hetim për tradhti.

“A po u bëni thirrje armiqve të Federatës Ruse që të vijnë dhe të pushtojnë Rumaninë për t’u kujdesur për ... Rumaninë?”, tha Taranu. “Është një qasje absolutisht e tmerrshme, sipas këndvështrimit tim”.

Jo të gjithë nënshkruesit e strategjisë së janarit janë zmbrapsur nga komunikatat.

Cezar Dinu-Avramuta, aktivist dhe mësues, i njohur si “Flamurtar i Dacias” – pasi u bënë virale imazhet e tij duke valëvitur flamurin e lartë ushtarak të një gjarpri me kokë ujku gjatë një greve të mësuesve vitin e kaluar – tha se komunikatat janë të dobishme dhe të nevojshme për interesat “e thella” të Rumanisë. Ai i tha REL-it se kërkohet “njohuri e thellë e historisë, e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe sigurisë ndërkombëtare” dhe shtoi se Putini dhe politikanët e Kremlinit e kuptojnë këtë.

Skenaristi Miron Manega tha se ai po ashtu ka nënshkruar komunikatat.

“Tani në botë janë dy shtylla të sovranitetit: [Ish-presidenti amerikan dhe kandidati republikan për president] Donald Trump dhe Vladimir Putin”, tha ai.

“Ekzistenca e këtyre pikave referuese globale të sovranitetit mundëson sovranitetin e shteteve më të vogla sikurse Rumania. Megjithatë, Donald Trump, është shumë larg dhe ende nuk është president. Vladimir Putin në anën tjetër është president, është afër nesh dhe është i fuqishëm”./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat