Gjermania paralajmëron Rusinë për pasoja lidhur me sulmet kibernetike

Evropë

Gjermania paralajmëron Rusinë për pasoja lidhur me sulmet kibernetike

Më: 3 maj 2024 Në ora: 21:05
Foto ilustrim

Ministria e Jashtme e Gjermanisë njoftoi se ka thirrur për sqarime të ngarkuarin me detyrë të Ambasadës ruse – zyrtarin kryesor të ambasadës së Rusisë – lidhur me akuzat se agjencia e zbulimit ushtarak rus që nga viti i kaluar ka kryer sulme kibernetike ndaj partisë së koalicionit qeverisës së Gjermanisë.

Gjatë një konferencë shtypi të premten, zëdhënësi i qeverisë federale Wolfgang Buchner u tha gazetarëve se agjencitë gjermane të zbulimit kanë arritur në përfundimin se agjencia ushtarake ruse e zbulimit GRU është përgjegjëse për sulmin kibernetik të vitit 2023 ndaj Partisë Social-Demokrate të Gjermanisë (SPD).

Në qershorin e vitit 2023, SPD-ja njoftoi se llogaritë e postës elektronike të drejtuesve të saj ishin sulmuar nga kriminelët kibernetikë në fillim të atij viti.

Zëdhënësi Buchner tha se qeveria gjermane – me mbështetjen e Bashkimit Evropian, NATO-s dhe “partnerëve ndërkombëtarë” – dënon fuqishëm fushatën e grupit shtetëror rus të spiunazhit kibernetik APT 28, që është pjesë e agjencisë së zbulimit GRU.

Gjatë një vizite në Australi të premten, Ministrja e jashtme gjermane Annalena Baerbock konfirmoi se sulmet e vitit 2023 mund t’i atribuohen zbulimit rus dhe paralajmëroi se Rusia do të përballet me pasoja.

Ndonëse Baerbock nuk ofroi detaje për pasojat, zëdhënësi i Ministrisë së jashtme gjermane Christian Wagner u tha gazetarëve në Berlin se Gjermania do të “përdorë gjithë spektrin e masave” për t’iu përgjigjur sulmeve të Rusisë, përfshirë masa diplomatike dhe sanksione.

Muajin e kaluar, agjencia gjermane për siguri kibernetike, në kuadër të bashkëpunimit me kompaninë e Google ‘Alphabet’, përcaktoi se një grup i ngjashëm i kontrolluar nga Rusia me emrin APT29 u diktua ndërsa sulmonte disa parti politike gjermane, me qëllim që të futet në rrjetin e tyre dhe të vjedhë të dhëna.

NATO-ja dhe Bashkimi Evropian lëshuan deklarata të veçanta të enjten dhe të premten për të shprehur shqetësim dhe për të dënuar fushatën keqdashëse kibernetike të Rusisë jo vetëm kundër Gjermanisë, por edhe ndaj Britanisë, Çekisë, Estonisë, Letonisë, Lituanisë, Polonisë dhe Suedisë.

Në deklaratën e NATO-s u theksua se sulmet përfshinë ndërhyrje kibernetike dhe elektronike, fushata dezinformuese dhe operacione tjera hibride. Sipas deklaratës së BE-së fushata kibernetike vuri në shënjestër “institucionet demokratike, institucionet qeveritare dhe shërbimet e infrastrukturës në Bashkimin Evropian dhe më gjerë.”/voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat