Arrihet marrëveshja për formimin e Qeverisë, Plenkoviq sërish kryeministër i Kroacisë

Evropë

Arrihet marrëveshja për formimin e Qeverisë, Plenkoviq sërish kryeministër i Kroacisë

Më: 8 maj 2024 Në ora: 15:51
Andrej Plenkoviq

Në takimin e ekipeve negociatore të Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ) dhe Lëvizjes për Atdheun është arritur marrëveshje për formimin e shumicës së re parlamentare, si dhe për strukturën e qeverisë së ardhshme, e cila do të udhëhiqet sërish nga kryetari i HDZ-së, Andrej Plenkoviq, ka konfirmuar zëdhënësi i qeverisë, Marko Miliq.

“Propozimi i marrëveshjes së arritur sot do t’u prezantohet organeve partiake dhe më pas do ta informojmë opinionin për të gjitha detajet”, ka thënë zëdhënësi i qeverisë, Marko Miliq nga HDZ-ja, pas takimit të ekipeve negociatore të dy palëve, raporton Index.hr

Siç ishte paralajmëruar edhe më parë, Plenkoviqin do ta përkrahin edhe një pjesë e përfaqësuesve të pakicave kombëtare, në mënyrë që të sigurojë 76 votat e nevojshme në parlament.

Plenkoviqi është kryeministër i Kroacisë nga viti 2016.

Partia e Pavarur Demokratike Serbe (SDSS) s’do të jetë pjesë e koalicionit, siç ishte në mandatin e fundit të Plenkoviqit.

Lëvizja për Atdheun e kushtëzoi mbështetjen ndaj HDZ-së që SDSS-ja të mos ishte pjesë e shumicës parlamentare apo e qeverisë së ardhshme.

Në zgjedhjet parlamentare të 17 prillit, asnjë parti nuk fitoi mandate të mjaftueshme për të formuar Qeverinë.

Fituesja e zgjedhjeve, HDZ-ja me prirje të djathtë, mori 61 mandate, tre prej të cilëve janë nga diaspora. Koalicioni i dytë i qendrës së majtë, i mbledhur rreth Partisë Socialdemokrate, ka 42 mandate dhe Lëvizja për Atdheun ka 14 mandate, ku një deputet thotë se nuk do ta mbështesë HDZ-në.

Ata pasohen nga e djathta Most me 11 mandate dhe partia e majtë e gjelbër Mozemo me 10 mandate. Ka edhe parti më të vogla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat