Ndalohet varrimi publik i kryemafiozit Provenzano, polemika për pasurinë

Evropë

Ndalohet varrimi publik i kryemafiozit Provenzano, polemika për pasurinë

Më: 14 korrik 2016 Në ora: 17:09
Bernardo Provenzano

Kreu i Policisë së Palermos Guido Longo me një urdhëresë zyrtare ka ndaluar zhvillimin e ceremonisë publike të varrimit në kishë të kreut të mafias siciliane Bernardo Provenzano.

Sipas këtij urdhri familjarët e bosit mafioz mund të zhvillojnë një ceremoni private varrimi në varrezat e qytezës së Korleones, vendlindja e Provenzano në Sicili.

Gjatë ditës së sotme u krye në spitalin San Paolo të Milanos autopsia mbi trupin e Bernardo Provenzanos, e cila vërtetoi vdekjen e tij natyrale për arsye shëndetësore.

Kryebosi i mafias siciliane ndërroi jetë një ditë më parë në moshën 83 vjeçare në repartin e të burgosurve në spitalin San Poalo të Milanos ku ndodhej i shtruar që prej datës 9 prill 2014 me një sëmundje të pashërueshme.

Bernardo Provenzano u arrestua më 11 prill 2006 pas 43 vitesh në kërkim nga drejtësia italiane. Ndaj tij rëndonin rreth 20 dënime të përjetshme për krime të rënda.

Avokatja mbrojtëse e Provenzanos Rosalba De Greegorio gjatë orëve të fundit ka polemizuar faktin e mohimit nga shteti të kërkesave të saj për transferimin për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore të Bernardo Provenzanos nga burgu i sigurisë së lartë si dhe ndalimin e dënimit me burg për shkak të nevojës së kurave të domosdoshme mjekësore.

Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve në Ministrinë italiane të Drejtësisë Roberto Piscitello ka deklaruar se Bernardo Provenzano është kuruar në mënyrë korrekte e me kujdesin e duhur, duke u dërguar si në spitalin e Parmës ashtu dhe në atë të Milanos.

Autoritetet italiane dokumentojnë se gjendja shëndetësore e tij është përkeqësuar më datë 9 korrik për shkak të një infeksioni në mushkëri. Më datën 10 korrik kanë mbërritur pranë të sëmurit gruaja e fëmijët e tij.

Me vdekjen e  Bernardo Provenzanos, kryebosit të mafias siciliane, opinioni publik e media italiane hedh gjithnjë e më shumë pyetjen se ku ka përfunduar thesari i pasurisë së tij.

Gjatë arrestimit të tij në vendin ku ishte fshehur u gjetën pusulla të shumta në kod, të cilat vërtetonin fuqinë ekonomike vepruese të aktivitetit të mafias siciliane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat