IS merr përgjegjësinë për sulmin në Londër

Evropë

IS merr përgjegjësinë për sulmin në Londër

Më: 23 mars 2017 Në ora: 13:39
Pamje nga sulmi në Londër

Grupi militant Shtetit Islamik ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Londër.

IS thotë se sulmuesi në Londër ishte njëri nga “ushtarët” e tyre.

Tetë veta u arrestuan pas sulmit të së mërkurës në Londër, i cili la katër persona të vrarë, tha policia. Kreu i Komandës Anti-Terrorizëm, Mark Rowley, tha se qindra detektivë kanë punuar gjatë gjithë natës, duke bërë kërkime në gjashtë adresa.

Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May ka thënë se sulmuesi “ka vepruar i vetëm”, duke shtuar se ai ishte i lindur në Britani.

May, tha sot në Dhomën e Ulët të Parlamentit britanik se sulmuesi ishte “figurë” e njohur nga autoritetet e sigurisë dhe ishte hetuar “disa vite më parë” për ekstremizëm të dhunshëm. Ajo shtoi se policia është duke punuar mbi supozimin se ai ishte i inspiruar nga terrorizmi islamist.

“Dje, një akt i terrorizmit tentoi të hesht demokracinë tonë, por sot ne takohemi normalisht, sikurse kanë bërë gjeneratat para nesh dhe sikurse gjeneratat e ardhshme do të vazhdojnë të bëjnë një gjë të tillë. Dhe ne përcjellim një mesazh të thjesht: Ne nuk jemi të frikësuar dhe vendosmëria jonë kurrë nuk do të luhatet para terrorizimit”, tha May.

Të vrarët në sulm janë një grua në të 40-tat, një burrë në të 50-tat, polici Keith Palmer dhe sulmuesi, tha policia.

Shtatë nga të plagosurit janë ende në spital, në gjendje kritike, ndërsa 29 veta të tjerë janë trajtuar po ashtu.

Në mesin e të prekurve nga ky sulm terrorist janë 12 britanikë, tre nxënës nga Franca, dy qytetarë nga Rumania, katër nga Koreja e Jugut, një nga Gjermania, një nga Polonia, një qytetar kinez, një amerikan dhe dy grekë, ka njoftuar parlamentin kryeministrja May.

Sulmuesi goditi njerëzit me makinë, theri për vdekje një polic pranë Parlamentit britanik dhe më pas u vra nga policia.

Kryeministrja britanike, Theresa May, të mërkuren tha se sulmi “i neveritshëm” goditi mbi vlerat e lirisë, demokracisë dhe të lirisë së fjalës.

“Terroristët zgjodhën të sulmojnë zemrën e kryeqytetit tonë, ku njerëz të të gjitha nacionaliteteve, feve dhe kulturave mblidhen për të gëzuar vlerat e lirisë, demokracisë dhe të lirisë së fjalës”, tha May.

May, pas një takimi urgjent me ekipin e sigurisë, tha se qeveria nuk do të rrisë nivelin e kërcënimit nga terrorizmi. Aktualisht, është i dyti më i larti, që do të thotë se “ka shumë gjasa të ndodhë një sulm”.

Sulmuesi nuk është identifikuar nga policia.

Kujdes: Pamje të rënda

Kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan, tha se britanikët “nuk do të frikësohen nga terroristët”.

“Mesazhi im për ata që duan të na dëmtojnë dhe të na shkatërrojnë mënyrën e jetesës: Nuk do të keni sukses, nuk do të na ndani”, tha Khan.

Në Uashington, Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Donald Trump i ka ofruar kryeministres britanike, May, bashkëpunim të plotë në hetimin e sulmit.

“Qyteti i Londrës dhe qeveria e Madhështisë së Saj kanë mbështetjen e plotë të Qeverisë amerikane, për t’iu përgjigjur këtij sulmi dhe për t’i sjellë përgjegjësit përapara drejtësisë”, tha sekretari për media i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer.

Dhuna jashtë Parlamentit britanik ka ndodhur në përvjetorin e parë të sulmeve në Bruksel, të cilat kanë lënë 32 veta të vrarë dhe mbi 300 të plagosur.

Ekstremistët e grupit të ashtuquajtur Shteti Islamik e kanë marrë përgjegjësinë për sulmet në kryeqytetin belg. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat