Takimi historik zgjatet mbi dy orë, Trump e Putin shtrëngojnë duart në Hamburg

Evropë

Takimi historik zgjatet mbi dy orë, Trump e Putin shtrëngojnë duart në Hamburg

Më: 7 korrik 2017 Në ora: 14:59
Presidenti amerikan Donald Trump dhe ai rus Vladimir Putin

(E plotësuar) - Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe ai i Rusisë, Vladumir Putin, u takuan të premten në margjina të samitit të G20-ës – grupit të vendeve më të industrializuara – në Hamburg.

Takimi zgjati më shumë se dy orë, ndërsa ishte planifikuar vetëm 35 minuta.

Në komentet e shkurtra për mediat, përpara takimit, Trump tha se pret “shumë gjëra pozitive” për Moskën dhe Uashingtonin.

Trump tha se është “nder” për të të takojë homologun rus, ndërsa Putin tha se është “i lumtur” të takojë presidentin amerikan.

Ata nuk u përgjigjen në pyetjet e gazetarëve përpara se të hynin në takimin privat.

Pas bisedimeve me dyer të mbyllura, Putin u tha mediave ruse se ka diskutuar një sërë çështjesh me presidentin amerikan, "përfshirë Ukrainën, Sirinë, probleme të tjera dhe disa çështje dypalëshe".

"I jemi rikthyer edhe luftës kundër terrorizmit dhe sigurisë kibernetike", tha Putin.

Takimi, i pari i tyre sy më sy prejse Trump ka marrë detyrën në janar, vjen në kohën e një krizë të thellë në marrëdhëniet dypalëshe, për shkak të konflikteve në Siri dhe Ukrainë, si dhe ndërhyrjes së dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Trump, vazhdimisht, ka bërë thirrje për përmirësimin e marrëdhënieve me Moskën, edhe pse administrata e tij, publikisht, ka vazhuar presionin mbi Rusinë, për shkak të aneksimit të paligjshëm të gadishullit ukrainas të Krimesë dhe mbështetjes për separatistët e armatosur në lindje të Ukrainës.

Të enjten, në një fjalim në Varshavë, Trump i ka bërë thirrje Rusisë “të ndalojë aktivitetet destabilizuese në Ukrainë dhe gjetkë”, si dhe ka theksuar përkushtimin e Uashingtonit ndaj NATO-s, të cilën Putin, prej kohësh, e akuzon për rritje të tensioneve në lindje të Evropës.

Takimi Trump-Putin po ashtu vjen në kohën e tensioneve midis 20 vendeve më të industrializuara të botës, për shkak të tregtisë dhe ndryshimeve klimatike.

Samiti i tyre në Hamburg, që ka nisur të premten dhe vazhdon të shtunën, po përcillet me protesta të dhunshme antikapitaliste.

Image

Presidenti amerikan Donald Trump dhe ai rus Vladimir Putin janë takuar për herë të parë. Ata kanë shtrënguar duart në fillim të samitit të G20-s që mbahet në Hamburg të Gjermanisë.

Një video e shkurtër e postuar në Facebook nga qeveria gjermane tregon dy liderët që shtrëngojnë duart dhe qeshin në shoqërinë edhe të liderëve të tjerë. 

Më vonë ata pritet të zhvillojnë një takim më të gjatë, në fokus të të cilit do të jetë riparimi i lidhjeve amerikano-ruse, të dëmtuara nga ndërhyrja e supozuar ruse në zgjedhjet amerikane. 

Image
Presidenti amerikan Donald Trump dhe ai rus Vladimir Putin

Takimi është planifikuar për një orë, bëjnë të ditur mediat ruse, edhe pse të dhëna të tjera sugjerojnë se ai mund të zgjasë rreth 30 minuta. 

Sipas rrjetit informativ NBC News, gjasat janë që në takim të jenë të pranishëm vetëm 4 persona të tjerë: sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson; ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov; dhe dy përkthyesit. 

Ende nuk dihet nëse ata do të prononcohen për mediat, apo nëse takimi mes tyre do të zgjatet. Pas bisedave telefonike të zhvilluara mes tyre në janar dhe maj, Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini shpërndanë njoftime për shtyp, por nuk dihet nëse një gjë e tillë do të përsëritet edhe këtë herë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat