Trump e quan “sukses” samitin e G20-s, pavarësisht dallimeve

Evropë

Trump e quan “sukses” samitin e G20-s, pavarësisht dallimeve

Më: 9 korrik 2017 Në ora: 10:26
Presidenti amerikan, Donald Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump e përshkroi samitin e G20-s në Gjermani “një sukses të mrekullueshëm”, pavarësisht pozicionit të të izoluarit të vendit të tij në çështjen e ndryshimeve klimatike.

Në një deklaratë të përbashkët, udhëheqësit e 18 kombeve dhe Bashkimi Europian njohën vendimin e Shteteve të Bashkuara për t’u tërhequr nga marrëveshja e Parisit mbi klimën. Gjithsesi, ata thanë gjithashtu se anëtarët e G20-s mbeten të angazhuar për akordin “e pakthyeshëm”. 

Pikërisht bllokimi mbi këtë çështje kishte zënë pjesën më të madhe të diskutimeve gjatë ditës së fundit në Hamburg. Marrëveshja përfundimtare gjithsesi u arrit dhe një deklaratë zyrtare u publikua të shtunën. 

Në konferencën përmbyllëse, Kancelarja gjermane Angela Merkel, organizatore e samitit në Hamburg, tha se ende ndihet e keqardhur për pozicionin e Trumpit, por shtoi se ndihet e kënaqur që 19 kombet e tjera kundërshtuan rinegociimin e marrëveshjes.

Gjithsesi, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan u shpreh më vonë se ratifikimi i akordit të Parisit nga vendi i tij tashmë është në dyshim, pasi tërheqja e SHBA-ve rrezikon kompensimin për vendet në zhvillim.

Erdogan tha se, kur Turqia nënshkroi akordin, Franca kishte premtuar se Ankaraja do të ishte mes pretendentëve për kompensim për disa nga kostot financiare të pajtueshmërisë së paktit. 

Trump mori disa lëshime mbi tregtinë, me udhëheqësit që kanë theksuar të drejtat e vendeve për të mbrojtur tregjet e tyre, me ato që ata i quajtën si instrumente mbrojtëse legjitime tregtare. “Samiti i G20-s ishte një sukses i mrekullueshëm dhe i organizuar shumë bukur nga Kancelarja Angela Merkel. Faleminderit”, ishte statusi i presidentit amerikan në Twitter.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat