Sot pritet gjykimi i uzbekut për masakrën në Stamboll

Evropë

Sot pritet gjykimi i uzbekut për masakrën në Stamboll

Më: 11 dhjetor 2017 Në ora: 07:47
Uzbeku, Abdulkadir Masharipov, i dyshuar për vrasjen e 39 personave në një klub nate në Stamboll, gjatë një sulmi që ka ndodhur natën e Vitit të Ri.

Sot pritet të fillojë gjykimi për uzbekun, Abdulkadir Masharipov, i cili supozohet se ka pranuar vrasjen e 39 personave në një klub nate në Stamboll, gjatë një sulmi që ka ndodhur natën e Vitit të Ri.

Për këtë incident, grupi militant, Shteti Islamik e ka marrë përgjegjësinë.

Masharipov mund të përballet me 40 vite burg, derisa pritet që gjykimi të nisë nën masa të rrepta të sigurisë në burgun në Silivri afër Stambollit.

Në mesin e akuzave me të cilat përballet ai janë, “tentim për të shkatërruar rendin kushtetues”, “anëtarësim në një organizatë terroriste”, dhe “vrasje e më shumë se një personi”.

Ai është njëri prej 57 të dyshuarve që pritet të gjykohet gjatë ditës së sotme, lidhur me akuzat për masakrën dhe për pjesëmarrje në një rrjet terrorist.

Në mesin e të akuzuarve është edhe gruaja e Masharipovit, Zarina Nurullayeva, e cila dyshohet se ka bashkëpunuar dhe mund të dënohet me burg të ngjashëm sikur burri i saj.

Autoritetet e kishin identifikuar vendndodhjen e Masharipovit 17 ditë pas sulmit.

Në këtë rast ishin angazhuar 2,000 zyrtarë policorë dhe ekspertët kanë thënë se të dhënat që ai ka dhënë, u kanë ndihmuar autoriteteve policore që të shaktërrojnë një rrjet të gjerë ekstremist në Stamboll.

Masharipov ka hyrë në një klub nate dhe me armë AK-47, ka gjuajtur drejt personave që ishin brenda klubit.

Prokurorët kanë thënë se Masharipov është trajnuar në Afganistan dhe ka rrëfyer se ka pranuar të kryejë sulmin, pasi ka marrë urdhra nga qyteti Raka, kryeqyteti i vetëdeklaruar nga grupi militant, Shteti Islamik.

Shteti Islamik, i cili është fajësuar për disa sulme terroriste, disa prej tyre në Evropë, është larguar nga qyteti Raka dhe ka humbur pjesën më të madhe të territorit që ka pasur në Siri dhe Irak.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat