Me temp dhe tone optimiste - Bisedimet për koalicion

Evropë

Me temp dhe tone optimiste - Bisedimet për koalicion

Më: 7 janar 2018 Në ora: 09:51
Angela Merkel dhe Martin Schulz

Sot fillojnë bisedimet testuese për mundësinë e një koalicioni të ri mes unionit konservator dhe socialdemokratëve. Bisedimet u bënë të detyrueshme pas dështimit të bisedimeve për koalicionin e njohur si Xhamajka.

Bisedime për mundësinë e rifreskimit të koalicionit me bazë të gjerë për herë të dytë pas mandatit të kaluar këtë të dielë (07.01): Jo për koalicionin Xhamajka, të njohur si koalicioni i konservatorëve, të gjelbërve dhe liberalëve, FDP, i cili dështoi si mundësi në fund të vitit të kaluar, por atë mes unionit dhe SPD-së. Kësaj here të dy partitë e mëdha gjermane, që qeverisën edhe në katër vitet e kaluara nuk duan të humbasin kohë. „Kësaj here do ta bëjmë shpejt dhe me stabilitet", tha kryetari i partisë socialdemokrate, Martin Schulz për gazetën „Aachener Nachrichten„. SPD është gati që „në pesë ditët e ardhshme të arrijë në një përfundim". Ndërkohë edhe zëvendëskreu i partisë CDU, Thomas Strobl është shprehur për agjencinë gjermane të lajmeve, dpa, se „tani duhet të japim gaz dhe të kemi temp. Duhet të prodhojmë shpejt rezultate."

„Bëher fjalë për vendin, jo individin"

Edhe zëvendëskryetarja e partisë CDU, Julia Klöckner është shprehur para fillimit të bisedimeve të dielën, se „bëhet fjalë për vendin, dhe jo për partitë apo individë të veçantë." Ajo që dihet, theksoi Klöckner, është që duhet të ketë gatishmëri për kompromise për të krijuar një qeveri të stabilizuar. Ndërsa politikanja socialdemokrate, Malu Dreyer këshillon që „të mos e vendosim në krye të axhendës çështjen e refugjatëve". Në bisedimet për Xhamajkën tha ajo, tema të rëndësishme si barazia në politikën shëndetësore, kujdesin ndaj të moshuarve, papunësia apo ndërtimi i apartamenteve të reja kaluan në plan të dytë. Kjo nuk duhet të ndodhë tani, tha ajo për gazetën "Frankfurter Allgemeinen Zeitung".

Deri të premten e javës së ardhshme, partitë kryesore si ajo kristiandemokrate CDU dhe kristiansociale, CSU dhe partia socialdemokrate, SPD duan të krijojnë qartësi, nëse krerët e partisë do t'u rekomandojnë organizmave të partisë futjen në bisedimet e koalicionit. Lidershipi socialdemokrat ka nevojë edhe për miratimin e bazës së partisë për të filluar bisedimet për koalicion me konservatorët. Votimi do të bëhet më 21 janar në Bonn.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat