Vështirësitë e refugjatëve në Itali - Bota Sot
Vështirësitë e refugjatëve në Itali

Evropë

E enjte, 20 shtator 2018

Vështirësitë e refugjatëve në Itali

Më: 13 janar 2018 Në ora: 23:31
ilustrim

Numri i refugjatëve dhe emigrantëve që shkojnë në Itali mund të ketë rënë, por kjo nuk ndjehet në qytetin piktoresk të Ventimiglias, pranë kufirit francez. Ndërsa dimri i ashpër ka përfshirë rajonin, qindra refugjatë po jetojnë në kushte të rënda, në pritje një mundësie për shkuar në Francë. Disa nga refugjatët kanë paguar për këto përpjekje me jetën e tyre.

Kërkimi i një jete më të mirë i ka sjellë këta refugjatë në këtë pikë.

Në Italinë veriore, emigrantët dhe refugjatët presin me durim për të kaluar në Francë, një udhëtim që mund t’u marrë atyre jetën.

Por, ndërsa temperaturat në dimër bien, refugjatët që jetojnë në kushte të vështira në qytetin kufitar të Ventimiglias kanë pak mundësi për të pushuar para se vazhdojnë rrugën.

"Këtu është shumë e vështirë, nuk është e lehtë të jetosh nën urë, sepse duhet të mbulohesh me batanije, dhe kjo batanije nuk është e mjaftueshme, këtu bën tepër i ftohtë", thotë Iessa Abdel Haleim, refugjate nga Darfuri.

Qyteti është tërheqës për turistët.

Por, përgjatë bregut të lumit të qytetit mund të shihen shenja të një komuniteti, shumica prej të cilëve vijnë nga Afrika nën-Sahariane, që mbijeton me vështirësi.

Mes personave që ndihmojnë refugjatët është edhe At Rito Julio Alvarez.

"Ne vlerësojmë se aktualisht pranë lumit jetojnë rreth 200 njerëz. Ky është një numër i madh dhe kjo gjë nuk duhet të ndodhë pikërisht këtu, në zemër të Evropës",thotë ai.

Kalimi për në Francë është i vështirë.

Hekurudha që shkon nga Ventimiglia drejt Francës kontrollohet nga policia franceze, e cila gjithashtu patrullon kufirin dhe i kthen në Itali personat që kapen.

Sipas rregullave evropiane, emigrantët dhe refugjatët duhet të kërkojnë azil në vendin e tyre të parë të mbërritjes, dhe shumica e këtyre emigrantëve kanë ardhur këtu me anije nga Libia.

Shumë prej tyre përpiqen të kalojnë në Francë, përmes një rruge të vështirë në Alpet franceze, të quajtur shtegu i vdekjes, ose përmes një autostrade pranë saj.

Të paktën 11 refugjatë dhe emigrantë mendohet se kanë vdekur në Ventimiglia dhe përgjatë rrugëve të tilla që nga shtatori i vitit 2016, edhe pse numri i emigrantëve që mbërrijnë në Itali ka rënë së tepërmi.

Përpjekjet për kalimin e kufirit dyfishohen gjatë natës.

Ata që marrin trenin rrezikojnë të kthehen me autobus në jug të Italisë, por dëshira për t’u larguar nga një vend me nivel të lartë papunësie është e madhe.

Mes atyre që e bëjnë këtë udhëtim janë edhe fëmijët dhe të drejtat e tyre po shkelen, thotë një punonjës humanitar.

"Ne po e monitorojmë situatën, për shembull se çfarë po bën policia franceze me të miturit. Të miturit kanë të drejtë të hyjnë dhe të kërkojnë azil në Francë. Për momentin, kufiri është i mbyllur dhe ata që nuk mund të hyjnë atje, kthehen këtu",thotë Chiara Romagno, punonjëse e organizatës OXFAM.

Një kamp i afërt që strehon 450 emigrantë dhe refugjatë është plot, dhe refugjati Salah Baker Alam preferon të largohet. Ai ka frikë se qëndrimi në këtë kamp do të rrisë shanset që ai të mbesë në Itali.

"Jam përpjekur të largohem pesë herë, por pa sukses, u përpoqa të largohesha edhe përmes maleve. Është e vështirë të kthehesh këtu përsëri, por do të përpiqem të largohem", thotë ai.

Kjo është si loja e maces me miun, e cila nuk tregon asnjë shenjë se ka për të përfunduar.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test