Franca i huazon sixhaden e famshme Britanisë

Evropë

Franca i huazon sixhaden e famshme Britanisë

Më: 17 janar 2018 Në ora: 10:34
Sixhadja e famshme e Bayeux

Sixhadja e famshme e Bayeux do të ekspozohet në Mbretërinë e Bashkuar pasi Franca ra dakord që ajo të lërë brigjet e saj për të parën herë në 950 vjet.

Presidenti Emmanuel Macron do të bëjë vetë njoftimin gjatë vizitës së tij në Britaninë e Madhe të enjten. “The Times” thotë se vendimi është pasojë e rezultatit të testeve që treguan se vepra e shekullit të 11, e cila dëshmon pushtimin norman të Anglisë, ishte e sigurtë për t’u lëvizur. Në të rrëfehet historia e pushtimit nga ai që do të ishte mbreti i ardhshëm Ëilliam I, duke kulmuar në Betejën e Hastings dhe humbjen e Haroldit në vitin 1066.

Sixhadja qëndron e palëvizur në muzeun e qytetit të Bayeux, në Normandi dhe rrallëherë ka lëvizur prej andej. Sipas “The Times”, marrëveshja për ekspozimin e saj në Britani pason muaj të tërë bisedimesh mes zyrtarëve të ministrive të Kulturës në Londër e Paris.

Ende nuk është përcaktuar ndërkohë se ku do të vendoset ajo për sytë e publikut në Mbretërinë e Bashkuar. Sixhadja e vyer është 70 metra e gjatë dhe 50 cm e gjerë. Sipas disa të dhënave, punimi për pak sa nuk u përdor si pëlhurë për të mbuluar municionet gjatë revolucionit francez, por një avokat arriti ta shpëtonte në kohë.

Napoleoni do ta paraqiste në Paris në vitin 1804, ndërkohë që po planifikonte një pushtim të Anglisë dhe për të dytën herë u ekspozua atje në vitin 1944, gjatë Luftës së Dytë Botërore, përpara se të kthehej në Bayeux.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat