Dita vendimtare! Socialdemokratët votojnë për koalicionin

Evropë

Dita vendimtare! Socialdemokratët votojnë për koalicionin

Më: 21 janar 2018 Në ora: 09:32
Gjermani

Po apo Jo për një koalicion të ri me Merkelin? Në kongresin e socialdemokratëve në Bonn (21.01) të dielën hidhet në lojë gjithçka. Shumë socialdemokratë besojnë tek një Po, por kjo nuk është e sigurtë.

Tema kryesore e kongresit socialdemokrat në Bonn: PO apo JO për negociatat e koalicionit me Unionin konservator. Kreu i partisë socialdemokrate për landin Renani-Veriore-Vestfali, Mike Groschek, mikpritës i kongresit, ka besim se të dielën shumica e delegatëve do t'i thonë Po bisedimeve. "Kam besim se një shumicë bindëse do të thotë Po", tha ai për gazetën "Die Welt." Groschek si takticien i njohur shpreson në përmirësimin e bisedimeve paraprake mes Unionit e socialdemokratëve që u zhvilluan para pak ditësh. "Negociatat për këtë bëhen, që të zgjerohen hapësirat e lojës".

Ai thekson se nuk duhet të bëhen zgjedhje të reja me kaq mendjelehtësi. Por nëse do të krijohet koalicioni i madh, atëherë ky do të jetë "një koalicion i gjërave të prera". SPD nuk duhet "të bëhet sërish një zëdhënëse e pastër e qeverisë në një koalicion", por duhet të mbesë e dallueshme si parti.

Kemi nevojë për një qeveri funksionale

Edhe presidenti i Shoqatës së Punëdhënësve Gjermanë, Ingo Krämer është pro koalicionit me bazë të gjerë. Vërtet që ky koalicion do të thotë një barrë për ekonominë, por "në kushtet aktuale" ai e mbështet "një aleancë të tillë. Kemi nevojë për një qeveri funksionale, kjo ka prioritet maksimal." Sipas Krämer dështimi i një koalicioni të madh do të ishte "një përfytyrim katastrofik për ekonominë më të madhe të Europës."

Edhe sekretari i përgjithshëm i SPD-së, Lars Klinglbeil shpreson për një Po të bisedimeve për koalicionin. Sidomos tek anëtarët e rinj ekziston dëshira për të vendosur për një pjesëmarrje në qeveri, tha Klingbeil për "Osnabrücker Zeitung". Edhe ai vetë ka qenë fillimisht kundër një koalicioni të madh."por në bisedimet paraparake më është bërë e qartë, që të ardhmen e vendit nuk do ta lemë në duart e një kryetari grupi parlamentar si Alexander Dobrindt dhe njerzëve të tij", ka thënë Klingbeil.

Shpresat socialdemokrate për Po, pas rezistencës së "juso"-ve- organizatës rionre socialdemokrate, janë edhe tek një figurë e nderuar në SPD, Malu Dreyer. Fillimisht mjaft skeptike për një raund të ri të koalicionit të madh, tani Dreyer bën reklamë për të. Nga ajo pritet që të bëjë shumë anëtarë socialdemokratë për vete. Por edhe fjalimi i Martin Schulz ka rëndësi të veçantë dhe nëse ai do të arrijë t'i bindë socialdemokratët. Flitet se e ardhmja e kreut të partisë socialdemokrate, Martin Schulz varet nga ky kongres. Nëse ai dështon e nuk dilet në bisedime për koalicionin e madh, Schulz ndoshta ikën, sipas zërave në media./dw

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat