Sarajevë, takim Serbi-Bosnje-Kroaci për çështjet kufitare

Evropë

Sarajevë, takim Serbi-Bosnje-Kroaci për çështjet kufitare

Më: 7 mars 2018 Në ora: 12:32
Serbi-Bosnje-Kroaci

Anëtarët e presidencës tripalëshe boshnjake, myslimani Bakir Izetbegoviç, kroati Dragan Çoviç dhe serbi Mladen Ivaniç si edhe presidentët e Kroacisë dhe Serbisë, Kolinda Grabar-Kitareviç dhe Aleksandar Vuçiç u takuan në Mostar, për herë të parë pas gjashtë vitesh, për të gjetur një zgjidhje të problemeve të shumta në marrëdhëniet mes tri vendeve duke filluar me përcaktimin e diskutueshëm të kufijve dhe me disa projekte infrastrukturore.

“Kur takohemi, ne nuk shkëmbejmë fjalë të ëmbla dhe bisedimet tona nuk janë asnjëherë të thjeshta”, deklaroi Vuçiç, në fund të takimit.

”Kemi probleme të panumërta të trashëguara nga e kaluara, por jemi duke u përpjekur që t’i zgjidhim ato një nga një dhe gjëja më e rëndësishme është se kemi arritur paqen dhe stabilitetin, përfshirë forcimin e marrëdhënieve ekonomike ”, shtoi ai.

Sipas Vuçiç, rritja e tregtisë ndërmjet Serbisë, Kroacisë dhe Bosnjes është arritur përmes bisedimeve politike të vendeve.

Takimi i fundit Bosnje-Serbi-Kroaci në nivel presidencial është mbajtur para gjashtë vitesh dhe Vuçiç propozoi që takimi i ardhshëm të zhvillohet në Novi Sad, në veri të Serbisë, në një kohë shumë të afërt.

“Thelbi i bisedimeve lidhej me strategjinë e Bashkimit Europian për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor. Ne kemi kërkuar gjetjen e  pikave të përbashkëta për të nxitur marrëdhëniet dhe për të zgjidhur problemet strukturore, të gjitha të supozuara për një mjedis më të mirë ekonomik rajonal”, deklaroi Çoviç .

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat