Lavrov i përgjigjet ultimatumit britanik: Na jepni qasje te provat!

Evropë

Lavrov i përgjigjet ultimatumit britanik: Na jepni qasje te provat!

Më: 13 mars 2018 Në ora: 16:23
Lavrov ka theksuar se Britania e Madhe duhet t’i përmbahet Konventës për Parandalimin e Armëve Kimike dhe t’i sigurojë Rusisë qasje në mostrat e agjentit nervor që pretendohet të jetë përdorur për helmimin e Sergei Skripal dhe vajzës së tij.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka komentuar pretendimet e Britanisë së Madhe për përfshirjen e Rusisë në helmimin e ish-spiunit Sergei Skripal, që kulmoi me ultimatumin e vendosur nga Londra kundrejt Moskës për të dhënë shpjegime brenda kësaj të marte, sesi një agjent nervor i prodhuar në Rusi u përdor në atë sulm.

Lavrov ka theksuar se Britania e Madhe duhet t’i përmbahet Konventës për Parandalimin e Armëve Kimike dhe t’i sigurojë Rusisë qasje në mostrat e agjentit nervor që pretendohet të jetë përdorur për helmimin e Sergei Skripal dhe vajzës së tij.

“Sapo dolën thashethemet e ushqyera nga udhëheqësit britanikë mbi faktin se një substancë e prodhuar në Rusi është përdorur në helmimin e Skripalit, ne kërkuam menjëherë qasje në mostrat e kësaj substance, në mënyrë që ekspertët tanë të mund t’i analizojnë ato në përputhje me Konventën e Parandalimit të Armëve Kimike”, tha ai në një konferencë për shtyp.

Kryediplomati rus theksoi gjithashtu se detyrimet e Britanisë nga kjo Konventë nënkuptojnë se, nëse ka dyshime se një substancë helmuese e ndaluar nga konventa është përdorur, atëherë shteti i dyshuar si prodhues i saj duhet kontaktuar, duke qenë se ky shtet ka të drejtën për të pasur qasje te mostrat e substancës dhe për t’i analizuar ato përmes ekspertëve të vet.

Gjithsesi, Moskës nuk i është dorëzuar ende asnjë kërkesë e tillë nga Londra, sipas diplomatit rus. Lavrov nënvizoi se Moska ka kërkuar qasje në të gjitha faktet dhe dokumentet lidhur me hetimin mbi këtë ngjarje, duke qenë se njëri prej viktimave, konkretisht Yulia Skripal, është shtetase ruse. Por, ai thotë se kërkesa e Kremlinit është refuzuar nga Britania.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat