E veja e Litvinenkos: Masat britanike pas helmimit, të pamjaftueshme

Evropë

E veja e Litvinenkos: Masat britanike pas helmimit, të pamjaftueshme

Më: 15 mars 2018 Në ora: 21:28
Marina Litvinenko

Një nga reagimet ndaj përgjigjes së Britanisë ndaj sulmit me agjent nervor kundër një agjenti të dyfishtë në jug të vendit, erdhi nga Marina Litvinenko, e veja e disidentit rus të vrarë në Londër, Alexander Litvinenko. Ajo thotë se masat nuk janë aq të forta sa ç’duhet dhe se figura të larta të Kremlinit duhet të goditen me sanksione.

Alexander Litvinenko, një ish agjent i KGB-së, u vra në Londër në vitin 2006, me lëndën radioaktive polonium. Marina Litvinenko tha se megjithëse masat e deklaruara janë më të rrepta sesa ato që u morën pas helmimit të burrit të saj, ato nuk janë të mjaftueshme.

“Reagimi i Theresa May-t ishte shumë më i shpejtë dhe më direkt sesa në rastin e tim shoqi. Është një numër më i madh diplomatësh rusë që por dëbohet nga Britania, krahasuar me rastin e burrit tim. Mesa me kujtohet ishte katër atëherë dhe tani është 23. Dhe jam i sigurt që mes tyre ka persona nga shërbimet e sigurisë, por nuk do të thotë që je krejtësisht i sigurt. Duhet të bëhet më shumë”.

Sekretari i jashtëm britanik, Boris Johnson është një nga ata që e ka lidhur rastin e helmimit të Sergei Skripalit me atë të Litvinenkos, një kritik i rreptë i Presidentit rus, Vladimir Putin.

Një hetim publik në vitin 2016, arriti në përfundimin se vrasja e Litvinenkos u krye nga dy rusë, një prej të cilëve një ish-truprojë e KGB-së që u bë anëtar i parlamentit rus, si pjesë e një operacioni ndoshta i urdhëruar nga Putini, akuza që Moska i hedh poshtë.

Zonja Litvinenko tha se Britania duhet të shqyrtojë mundësinë e sanksioneve më të gjera dhe të shumta, përtej atyre në Ligjin Magnitsky që impononte ndalime vizash dhe ngritje asetesh ndaj zyrtarëve rusë.

Zonja Litvinenko, tërhoqi vëmendjen edhe për taktikat që përdor Putini në Rusi, përfshirë median propagandistike.

“Është një taktikë që Putini e përdor për të mbrojtur veten nga qytetarët e tij, për të treguar se është perëndimi që do që Rusia të jetë e dobët, është perëndimi që është kundër nesh, kundër Rusisë, por nuk është e vërtetë”, tha ajo.

“Sigurisht që njerëzit ndjehen shumë të pasigurt dhe çështja është nëse Britania është në gjendje të garantojë siguri apo do të mbyllë sytë sepse rusët kanë para dhe Britania i ka pranuar këto para pa mëdyshje”.

Ajo tha se disdentë të tjerë rusë që jetojnë në Britani, ende nuk ndjeheshin të sigurt dhe se është e vështirë të mos ta shohësh me dyshim vdekjen në Londër të një kritiku tjetër të Putinit, 68 vjeçarit, Nikolai Glushkov.

Policia kundër terrorizmit po heton tani vdekjen e tiJ, megjithëse tha se nuk duket të ishte e lidhur me sulmin ndaj Skripalit dhe vajzës së tij, Yulia, 33 vjeç. Zonja Litvinenko tha se është vështirë të pranosh se vdekja e Glushkovit, ishte për pasoja natyrale./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat