Nis apeli i Karaxhiç, prokurorët kërkojnë burgim të përjetshëm

Evropë

Nis apeli i Karaxhiç, prokurorët kërkojnë burgim të përjetshëm

Më: 23 prill 2018 Në ora: 14:05
Radovan Karaxhiç

Ish-udhëheqësi serbo-boshnjak, Radovan Karaxhiç ka nisur zyrtarisht apelimin e vendimit që e dënon atë me 40 vite burg, për gjenocid dhe krime lufte. Çështja do të shqyrtohet në Tribunalin e Kombeve të Bashkuara në Hagë të Holandës, e apelimi do të zgjasë dy ditë.

Gjykata Penale ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë (ICTY) e dënoi Karaxhiçin në mars të vitit 2016. Ish-udhëheqësi e quajti dënimin e tij si “të motivuar politikisht”. Avokatët e tij thanë se ai nuk pati një proces të drejtë gjykimi, ndërsa prokurorët kërkojnë rritje të dënimit, me burgim të përjetshëm.

Ish-komandanti i ushtrisë serbo-boshnjake, Ratko Mladiç u dënua me burgim të përjetshëm për të njëjtat akuza në nëntor të vitit 2017.

Mekanizmi për Tribunalet Ndërkombëtare Penale (MICT) është ajo që po shqyrton tashmë apelin, ndërsa “ICTY”-ja u shpërbë në vitin 2017.

Karaxhiç, ish-psikiatër, ishte president i entitetit boshnjako-serb, Republika Srpska, gjatë luftës së Bosnjes në vitet ’90. Ai u shpall fajtor për 10 nga 11 akuzat për gjenocid, krime lufte dhe masakra të tjera gjatë konfliktit, përfshi edhe për planifikimin e masakrës së Srebrenicës në korrik të vitit 1995.

Ushtarët serbo-boshnjakë masakruan për vdekje afro 8.000 myslimanë, burra e djem, në një “zonë të sigurtë” të mbrojtur nga forcat paqeruajtëse holandeze nën misionin e OKB-së.

Karaxhiç u bë përgjegjës edhe për rrethimin e Sarajevës, që zgjati më shumë se 3 vite e shkaktoi vdekjen e 10 mijë civilëve. Gjithsesi, ai u shpall i pafajshëm për një akuzë gjenocidi, që kishte të bënte me masakrimin e personave në 7 qytete të tjera boshnjake.

Prokurorët besojnë se gjykatësit e “ICTY” u gabuan mbi ligjet e faktet, ndërsa kryeprokurori Serge Brammertz u ka kërkuar të “korrigjojnë gabimet e dhomës së gjykimit” e ta dënojnë me burgim të përjetshëm Karaxhiçin.

Karaxhiç u fsheh për vite të tëra, përpara arrestimit të tij në Serbi në vitin 2008. Ai fshihej nën identitetin e rremë të doktor Dragan David Dabiç, një ekspert i mjekësisë alternative.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat