Stoltenberg: Aleanca po i përgjigjet agresivitetit të Rusisë

Evropë

Stoltenberg: Aleanca po i përgjigjet agresivitetit të Rusisë

Më: 18 maj 2018 Në ora: 21:26
Kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg i tha Zërit të Amerikës se Aleanca po i përgjigjet agresivitetit të Rusisë duke shtuar numrin e trupave në krahun e saj lindor dhe në vendet baltike. Zoti Stoltenberg ishte në Uashington për t’u takuar me Presidentin Donald Trump dhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë, me të cilët diskutoi mes të tjerash rreth rritjes së shpenzimeve ushtarake të NATO-s. Ai i bëri komentet në një intervistë me kolegen e shërbimit serb të Zërit të Amerikës Jela de Franceschi:

Kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se Rusia është bërë më agresive prandaj Aleanca po përgjigjet duke shtuar përforcimet, më të mëdhatë që nga Lufta e Ftohtë.

“Kjo po bëhet duke shtuar trupat në lindje të Aleancës dhe në vendet baltike, në Poloni por edhe me gatishmëri më të lartë të forcave tona. Ne duhet të bëjmë më shumë në këtë aspekt dhe të rrisim gatishmërinë e forcave tona gjatë takimit të NATO-s në muajin korrik në Bruksel," tha zoti Stoltenberg.

Ai tha se Moska po investon më shumë në pajisje moderne ushtarake. Rusia, tha ai, po përdor forcën ushtarake kundër një fqinji, Ukrainës, duke aneksuar ilegalisht Krimenë si dhe duke përdorur atë që ai e quajti taktikë hibride, një kombinim i veprimeve ushtarake me ndërhyrjen në proceset zgjedhore dhe sulmet kibernetike.

E gjithë kjo, tha kreu i NATO-s kërkon një përgjigje nga Aleanca dhe ajo po përgjigjet. Ai tha se ekziston nevoja kritike që forcat e NATO-s të jenë në gjendje të lëvizin në Atlantik dhe në të gjithë Evropën.

"Ne jemi në procesin e krijimit të një komande të re të forcës së përbashkët që do të përqendrohet në Atlantik dhe Shtetet e Bashkuara kanë ofruar që ta vendosin komandën e kësaj force të re në Norfolk të Virxhinias. Po krijojmë gjithashtu një komandë të re për lëvizshmërinë dhe përforcimin në të gjithë Evropën dhe gjermanët kanë ofruar që ajo ta ketë selinë në territorin e tyre.”

I pyetur nëse e shikon Turqinë ende si një një aleate të NATO-s, zoti Stoltenberg tha:

"Turqia është një aleate dhe një aleate e rëndësishme, aq më tepër për vendndodhjen e saj gjeografike në kufi me Irakun dhe Sirinë. Turqia ka qenë e rëndësishme në luftën kundër Daesh-it apo ISIS-it. Ata kanë përdorur infrastrukturën dhe bazat ajrore për të luftuar ISIS-in, i cili tani është në arrati.”

Zoti Stoltenberg pranoi se Turqia ka disa mosmarrëveshje me aleatët e NATO-s dhe i bëri thirrje Ankarasë dhe aleatëve të ulen e t’i zgjidhin dallimet mes tyre./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat