Qeveria euroskeptike e Italisë, akordi në prag. Dy emra për kryeministrin

Evropë

Qeveria euroskeptike e Italisë, akordi në prag. Dy emra për kryeministrin

Më: 19 maj 2018 Në ora: 16:36
Giuseppe Conte (1), Andrea Roventini (4), Alfonso Bonafede (3), Vincenzo Spadafora (2).

Pas një takimi kolegjial, në sy të të gjithëve, Matteo Salvini ka marrë mbrëmjen e së premtes në unanimitet “dritën jeshile” nga Këshilli Federal i “Lega Nord” për kontratën e “qeverisë së ndryshimit” me “Lëvizjen 5 yjet”.

Udhëheqësi legist u ka kërkuar të gjithë të pranishmëve, nga sekretarët e presidentët kombëtarë, te guvernatorët dhe kryetarët e grupeve në Parlament, të shpreheshin mbi punën e bërë deri më tani.

Gjatë kësaj fundjave, fjalën e kanë rreth 1.000 forumet e organizuara nga partia. Salvini nuk ka përmendur ende asnjë emër mbi kryeministrin e mundshëm, por ka dalë në konkluzionin se programi qeverisës “është thelbësisht legist” dhe “mirëpret politikën e ‘italianët të parët’, si dhe përmbush 90% të kërkesave” të partisë.

Ndaj, atyre që i kërkonin të mos hiqte dorë nga posti më i lartë qeveritar dhe këmbëngulnin për këtë zgjidhje me “5 yjet”, ai iu është përgjigjur me një metaforë. “Kur rruga është e asfaltuar mirë, s’ka rëndësi se kush e drejton mjetin”.

E rëndësishme është gjithsesi se ekzekutivi që pritet të formohet nuk do të jetë një “qeveri e Di Maio”-s, edhe pse në radhët e “Lega Nord” ekziston ende shqetësimi se nga “Quirinale” (pallati presidencial italian) do të vijë sugjerimi për një zgjidhje me kreun e “5 yjeve” në udhëheqje.

Salvini, siç referojnë ata me të cilët ka biseduar, e ka përfshirë në tratativa profilin e kryeministrit nga “5 yjet” për t’i propozuar Sergio Mattarellës. Atë të një “figure të profilit të lartë, ndoshta një profesori universitar, i cili të mos jetë pjesë organike e partisë”.

E parë nga ky këndvështrim, identikiti i kryeministrit nuk duket shumë larg Andrea Roventinit, i cili preferohet nga “5 yjet” në postin e ministrit të Ekonomisë, apo edhe ai i Giuseppe Contes, docent i së Drejtës Private në Firence dhe Romë.

“Lëvizja 5 yjet”, nga ana e saj, nuk heq dorë nga drejtimi i “pallatit Chigi” (Kryeministria), e pretendon se ka përfshirë në programin qeverisës të gjitha premtimet e bëra. E këtë e shfaq edhe Luigi Di Maio përmes një videoje të gjatë në “Facebook”.

“Në fund kemi mundur të realizojmë pikërisht atë që premtuam gjatë fushatës zgjedhore”. Por a është mbyllur pakti edhe për kryeministrin dhe kabinetin e tij qeveritar? “Jo, ende jo. Megjithatë ekziston një zgjidhje dhe jemi vetëm një hap larg akordit. Ndoshta qeveria shpallet sot”. Nyjet e fundit për t’u zgjidhur, përveç kryeministrit, janë edhe postet ministrore, veçanërisht ai i Ekonomisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat