“Nëse vjen kriza e luftës”, Suedia përgatit popullin

Evropë

“Nëse vjen kriza e luftës”, Suedia përgatit popullin

Më: 22 maj 2018 Në ora: 11:04
Ilustrim

Qeveria suedeze ka nisur t’u shpërndajë 4.8 milionë familjeve të vendit fletushka, ku për të parën herë në më shumë se gjysmëshekulli përcillen udhëzime sesi duhet reaguar në rast lufte.

Fletat me titull “Om krisen eller kriget kommer” (Nëse vjen kriza e luftës), shpjegojnë sesi njerëzit mund të sigurojnë nevojat bazike si ushqimi, uji dhe ngrohja, dhe u tregojnë atyre çfarë nënkuptojnë sinjalizimet, ku të gjejnë strehime nga bombat dhe si të kontribuojnë në mbrojtjen totale të Suedisë.

20 faqet e ilustrura me sirena, avionë luftarakë dhe familje që u largohen shtëpive të tyre, e përgatisin popullatën edhe për rreziqe të tjera, si sulmet kibernetike apo ato terroriste, ndryshimet klimatike dhe mënyrat e identifikimit të lajmeve të rreme.

“Ndonëse Suedia është më e sigurtë sesa shumë vende të tjera, rreziqet që kërcënojnë sigurinë dhe pavarësinë tonë nuk mungojnë”, thuhet në broshurë. “Nëse jeni të përgatitur, ju kontribuoni në përmirësimin e aftësisë së vendit tuaj për t’i bërë ballë një vështirësie shumë të madhe”.

Fletëpalosje të ngjashme janë shpërndarë për herë të parë në Suedinë neutrale gjatë vitit 1943, në kulmin e Luftës së Dytë Botërore. Përditësime u lëshuan më pas rregullisht për publikun deri në vitin 1961, ndërsa për zyrtarët lokale dhe ata qeveritarë, kjo praktikë vazhdoi të ndiqej deri në vitin 1991.

Publikimet vijnë në mesin e një debati të zjarrtë mbi sigurinë dhe mundësinë e bashkimit me NATO-n, i cili është intensifikuar ndjeshëm në vend që prej aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, e së fundi nga shkeljet e vazhdueshme të hapësirës ajrore dhe ujërave territoriale suedeze nga avionët dhe nëndetëset ruse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat