Skllavëri moderne, në zemër të Europës

Evropë

Skllavëri moderne, në zemër të Europës

Më: 23 maj 2018 Në ora: 16:59
Ilustrim

Nuk duhet t’iu largohesh shumë institucioneve europiane për të zbuluar se në çfarë kushtesh punojnë realisht emigrantët.
Në stacionin “Arts-Loi Metro” të Brukselit, Mohammed, një emigrant maroken pa dokumente të rregullta qëndrimi, ka punuar me muaj të tërë për rinovimin e tij dhe nuk ishte aspak e lehtë.

“Na thërrisnin neve kur puna bëhej e papërballueshme për të tjerët”, tregon ai për “Euronews”.

“Një herë punova 3 turne 8-orëshe rresht, që do të thotë 24 orë pa pushim. Ekziston gjithmonë rreziku që të pushohesh, e kjo do të thotë se duhet të vazhdosh e të punosh pa bërë zë. Ne jetojmë në frikë. Frika është pjesë e jetës sonë të përditshme”, rrëfen ai.

Raporti i fundit i Këshillit të Europës tregon se trafikimi i qenieve njerëzore me qëllim shfrytëzimin e krahut të punës është në rritje dhe viktimat janë shpeshherë emigrantë pa dokumente, apo grupe të cënueshme që jetojnë në pasiguri ekonomike.

Ajo që duket si mundësi e mirë punësimi mund të kthehet në një ferr të vërtetë, sipas “Euronews”-it.

Viktimat, shpeshherë varen nga trafikantët, jo vetëm për gjetjen e një pune, por edhe për strehim. Ata punësohen në një gamë të gjerë shërbimesh, duke nisur nga prodhimi ushqimor, restorantet, kujdesi personal, apo edhe kantieret e ndërtimit.

Edhe pse nuk mungojnë as kërcënimet, në përgjithësi iu shmangen denoncimeve nga frika e deportimit apo hakmarrjes. Aktivistët thonë se, shumë vende europiane duhet të bëjnë më shumë për ta luftuar këtë fenomen, e të koordinojnë më mirë punën e organizatave joqeveritare, sindikatave të tregtisë dhe sektorit privat, në mënyrë që të ndihmojnë t’u jepet fund abuzimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat