Kremlini: Vjena, vend i mundshëm për takimin Putin-Trump

Evropë

Kremlini: Vjena, vend i mundshëm për takimin Putin-Trump

Më: 9 qershor 2018 Në ora: 13:46
Presidenti rus, Vladimir Putin dhe ai SHBA-së, Donald Trump. Foto nga arkivi

Kremlini thotë se Vjena është njëra prej qyteteve ku mund të zhvillohet një takim i mundshëm në mes të presidentit rus, Vladimir Putin dhe atij amerikan, Donald Trump.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov u tha gazetarëve sot se Putin dhe Trump kanë diskutuar për një takim të tyre të mundshëm, gjatë një bisede telefonike në muajin mars dhe kanë biseduar për vendet se ku do të mund të mbahej ky takim. Sipas tij, kryeqyteti austriak është njëri prej opsioneve.

Duke folur në qytetin kinez, Qingdoa, ku Putini po merr pjesë në samitin e Organizatës për Bashkëpunim të Shangait (SCO), Peskov tha se “nuk ka marrëveshje konkrete dhe se për momentin nuk po zhvillohen diskutime specifike”.

Peskov shtoi se për këtë temë Putin ka diskutuar me kancelarin austriak, Sebastian Kurz më herët gjatë kësaj jave.

Trump gjatë muajit mars kishte deklaruar se dy liderët do të takohen së shpejti, por që atëherë marrëdhëniet në mes të Uashingtonit dhe Moskës janë përkeqësuar, për shkak të konfliktit në Siri dhe helmimit të ish-agjentit rus në Britani, Sergei Skripal, për të cilin Perëndimi e fajëson Moskën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat