Spanja do ta pranojë anijen e bllokuar me migrantë në det

Evropë

Spanja do ta pranojë anijen e bllokuar me migrantë në det

Më: 11 qershor 2018 Në ora: 16:22
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, tha se vendi i tij do të shpëtojë një anije të bllokuar në Mesdhe, për të shmangur katastrofën humanitare.

Sanchez tha se do ta lejojë anijen Aquarius të ankorohet në portin e saj, me 629 njerëzit në bord, pasi Italia dhe Malta refuzuan ta bëjnë një gjë të tillë.

Sanchez tha se anija do të ankorojë në Valencia.

Anija, me 123 të mitur të pashoqëruar dhe shtatë gra shtatëzëna në mesin e të tjerëve, është bllokuar qysh në fundjavë në ujërat ndërkombëtarë midis Italisë dhe Maltës.

Ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Salvini, e bllokoi anijen, duke thënë se "shpëtimi i jetëve në det është detyrim, porse transformimi i Italisë në një kamp të madh refugjatësh nuk është".

Ai tha se Malta duhet ta pranojë Aquarius-in, por ka refuzuar, duke argumentuar se një gjë e tillë bie nën juridiksionin e Italisë.

Kryeministri i Maltës, Joseph Muscat, tha se veprimet e autoriteteve italiane shkojnë dukshëm në kundërshtim me rregullat ndërkombëtarë dhe se mund të krijojnë një situatë të rrezikshme për të gjithë të përfshirët.

Bashkimi Evropian dhe Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara (UNHCR) bënë thirrje për shpëtimin e anijes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat