Politikanë gjermanë dhe Kampionati Botëror në Rusi

Evropë

Politikanë gjermanë dhe Kampionati Botëror në Rusi

Më: 14 qershor 2018 Në ora: 09:13
Rusi

Këtë të premte, në Moskë zhvillohet një ndeshje e pazakontë futbolli: ekipi i Bundestagut luan kundër deputetëve të Dumës ruse. Ky është një gjest i vogël simbolik, për të "penguar lindjen e armiqësisë midis gjermanëve dhe rusëve", kështu u shpreh zëvendëspresidenti i Bundestagut, Thomas Oppermann. Vazhdojnë "të ekzistojnë dallime themelore me politikën e Vladimir Putinit". Por tek populli gjerman ekziston një konsensus, thotë Oppermann: "Rusia nuk është armiku ynë", thotë socialdemokrati.  

E qartë, janë mbledhur shumë tensione dhe shumë mosbesim. Dhe është e vështirë për një ndeshje futbollistike midis parlamentarëve që t'i zbusë ato: në politikën e jashtme, kushtet kuadër për Kampionatin Botëror të Futbollit, që zhvillohet në Rusi nga 14 qershori deri në 15 korrik, janë të këqia: Britania e Madhe e akuzon qeverinë e Moskës për atentatin ndaj agjentit të dyfishtë Sergej Skripal dhe ndaj vajzës së tij, Julia, atentat në të cilin u përdor një lëndë luftarake, gaz nervor.

Komisioni hetimor ndërkombëtar, si dhe Holanda dhe Australia e akuzojnë Rusinë se ka marrë pjesë në rrëzimin e avionit Malaysia-Airlines MH17 në 17 korrik 2014. Në pikat e mosmarrëveshjes, përveç aneksimit të Krimesë bën pjesë mbështetja nga Rusia e separatistëve ukrainas dhe e regjimit të Asadit në Siri.

Image
Thomas Oppermann

Jo bojkotim, por as dëshirë për të udhëtuar në Rusi

Që kur është ashpërsuar konfrontimi midis Rusisë dhe Ukrainës dhe Perëndimit, ka pasur gjithmonë thirrje që të bojkotohet Kampionati Botëror në Rusi, si protestë kundër politikës së jashtme ruse. Në nivelin shtetëror, bojkotimin e mbështesin vetëm Ukraina, Islanda dhe Britania e Madhe. Që me to të bashkohen edhe shtete të tjera, për këtë shanset nuk janë të mëdha.

Por ambienti negativ tregon efekt: ndryshe nga herë të tjera, me sa duket do të jenë shumë politikanë drejtues gjermanë që do t'i shmangen një udhëtimi për të parë Kampionatin Botëror në Rusi. Si Presidenti i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier, Presidenti i Bundestagut, Wolfgang Schäuble ose zëvendëskancelari Olaf Scholz - të gjithë ata nuk planifikojnë të udhëtojnë në Rusi për Kampionatin, siç ia konfirmuan përfaqësues të tyre gazetës "Bild am Sonntag".

Sipas informacioneve të Deutsche Welles, as Kancelarja Angela Merkel nuk ka hë për hë plane për të shkuar në Rusi. Kjo në dallim nga herët e tjera, kur ajo i bie botës kryq e tërthor për të mbështetur ekipin gjerman. Megjithatë është e vështirë të përfytyrohet që Angela Merkeli do të  rrijë larg finales së Kampionatit Botëror, nëse do të luajë në finale ekipi gjerman.

Atmosfera për Kampionatin Botëror

Socialdemokrati Oppermann, i cili do të luajë në Moskë në ndeshjen e parlamentarëve, njëkohësisht e konsideron të gabuar, që politikanët të udhëtojnë atje. Atmosfera te konservatorët është po ashtu heterogjene. Ish-kryeministri i Bavarisë, Edmund Stoiber i tha ARD-së se një bojkotim i mundshëm është për të "politikë simbolike": "Çdo rast për të folur me Putinin, unë e konsideroj të mirë". Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Bundestagut Gjerman, Norbert Röttgen (CDU) u shpreh në të njëjtin emision:"Unë si politikan dhe ministër nuk do ta përdorja këtë Kampionat Botëror për të zhvilluar biseda. Por edhe ai nuk e mbështet një bojkotim nga ana e politikës: "Sporti nuk duhet të jetë pjesë e sanksioneve".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat