Çifti Macron, mijëra euro për një set pjatash

Evropë

Çifti Macron, mijëra euro për një set pjatash

Më: 15 qershor 2018 Në ora: 06:22
Seti me 1200 pjesë, i zgjedhur nga zonja e parë, Brigitte Macron, kushton 50 mijë euro, thuhet në dokumentet zyrtarë, por një revistë e njohur satirike thotë se kostoja reale shkon në rreth 500 mijë euro.

Çifti presidencial francez është në qendër të polemikave pasi u bë e ditur se pallati i Elizesë po shpenzon një pasuri për një servis të ri pjatash, ndërkohë që ankohet për buxhetin në tërësi.

Seti me 1200 pjesë, i zgjedhur nga zonja e parë, Brigitte Macron, kushton 50 mijë euro, thuhet në dokumentet zyrtarë, por një revistë e njohur satirike thotë se kostoja reale shkon në rreth 500 mijë euro. Reagimet u ndezën pasi u publikua një video e presidentit Emmanuel Macron, që fliste për shumë para të shpenzuara në asistenca sociale.

Videoja e postuar në Twitter nga zëdhënësi i presidentit u bë virale dhe nxiti akuzat për përçmim të të varfërve. Disa nga serviset e Elizesë datojnë që nga koha e Zhak Shirakut, më shumë se një dekadë më parë dhe disa madje edhe nga koha e Rene Coty-t, në 1950.

Zyrtarët thanë se gjithçka duhet të zëvendësohet pasi janë të vjetëruara dhe të paplota tashmë. Fabrika e porcelanit “Sevres”, historikisht ka furnizuar Elizenë me qeramikat e saj që nga 1848. Elize thotë se fatura për prodhimin e 900 pjatave dhe 300 pjatancave ka dalë nga buxheti i përvitshëm i fabrikës.

Ndaj kostoja prej 50 mijë eurove është vetëm për pagesat e artistëve të përfshirë në dizajn. Por, revista “Le canard enchaine” përllogariti koston reale të pjatave të pikturuara me dorë, shumë më tepër nga sa është thënë, të paktën 400 euro për një pjatë.

E kjo do të ishte thuajse 10 herë më e lartë nga kostoja e përllogaritur zyrtare. Të tjerë e vënë shifrën në rreth 200 euro për një pjatë dhe nënvizojnë se fabrika është në masën 60 për qind e financuar nga ministria e kulturës dhe merr prej saj 3.6 milionë euro në vit. Vetë fabrika thotë se çmimi i servisit nuk është përcaktuar ende por fatura nuk do ti adresohet pallatit presidencial.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat