“E vetmja gjë e rëndësishme, regjimi pa viza”, propozimi i ri për Ballkanin Perëndimor

Evropë

“E vetmja gjë e rëndësishme, regjimi pa viza”, propozimi i ri për Ballkanin Perëndimor

Më: 16 qershor 2018 Në ora: 10:33
Hannes Swoboda dhe Maria Eleni Koppa

Në një koment për Ballkanin Perëndimor, dy eurodeputetët Hannes Swoboda dhe Maria Eleni Koppa shprehin fuqimisht mbështetjen e tyre për integrimin e këtij rajoni në Bashkimin Europian, duke thënë se hapi i rëndësishëm dhe i guximshëm duhet të hidhet nga vetë Unioni i pari.

Duke e quajtur mjaft të rëndësishme strategjinë për Ballkanin Perëndimor të prezantuar në shkurt, dy eurodeputetët thonë se nga Samiti i Selanikut në 2003 deri sot e vetmja gjë e rëndësishme që është bërë për këtë rajon është regjimi pa viza.

“Megjithatë, BE duhet të bëjë lëvizje më të guximshme në këtë rrugë. Ne besojmë fuqishëm se është koha për të bërë më shumë. Kemi nevoje për ide të reja që mund të plotësojnë dhe ri-forcojnë strategjinë, duke ofruar një impuls të ri për integrimin e rajonit në strukturat e BE. Armiku ynë më i fortë në rajon është zhgënjimi i njerëzve për shkak të proceseve të komplikuara dhe afateve të gjata, gjë që përfundimisht mund të çojë në një ndjenjë të dorëheqjes nga ana e vendeve në rajon”, shprehen ata.

Swoboda dhe Koppa kanë një propozim me tre hapa si një kornizë për një afrim të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në.

E para është krijimi i një komiteti sigurie mes BE dhe Ballkanit Perëndimor. “Ajo që nevojitet është një kuadër efikas bashkëpunimi institucional për çështjet e sigurisë në formën e një komuniteti të sigurisë BE-Ballkan. Kjo përfundimisht duhet të çojë në një komiteti të sigurisë”.

Hapi i dytë sipas dy eurodeputetëve është pjesëmarrja në fondet strukturore, që aktualisht janë vetëm për vendet e BE-së. “Masa e parë do të ishte të kthehej Procesi i Berlinit në një proces të BE-së, një proces komunitar i Bashkimit dhe ta integrojë atë në strategjinë e para-pranimit, me një rol të veçantë për Komisionin Evropian. Kjo do të ishte një qasje që kërkon të adresojë çështjet ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe mund të jetë një nxitës i bashkëpunimit ekonomik rajonal, rritjes dhe qëndrueshmërisë. Fondet strukturore – aktualisht të rezervuara vetëm për shtetet anëtare – duhet të hapen për vendet kandidate në këtë kuadër”, thonë ata.

“Hapja e negociatave duhet të jetë parakushti bazë, por pjesëmarrja në fondet strukturore duhet të jetë gjithashtu e kushtëzuar nga progres i prekshëm në fushën e sundimit të ligjit dhe fusha të tjera specifike, si bashkëpunimi i ngushtë rajonal”, thuhet më tej në propozimin e tyre.

Hapi i tretë i propozimit të tyre është statusi i vëzhguesit në mbledhjet e Këshillit. “Pas mbylljes së kapitujve 23 dhe 24, vendet kandidate mund të marrin statusin e vëzhguesit në mbledhjet formale dhe informale të Këshillit, veçanërisht në fushat e drejtësisë, çështjeve të brendshme, politikës së jashtme, të mbrojtjes, energjisë dhe politikës sociale”, propozojnë Swoboda dhe Koppa.

Ata janë të mendimit se procedurat e gjata të deritanishme krijojnë një zhgënjim pasi sipas tyre, nuk ofrojnë asnjë perspektivë reale apo rezultate të prekshme.e

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat