Odiseja e “Aquarius” merr fund! Anija ankorohet në Valencia

Evropë

Odiseja e “Aquarius” merr fund! Anija ankorohet në Valencia

Më: 17 qershor 2018 Në ora: 10:05
“Aquarius”

Odiseja e anijes “Aquarius” është mbyllur me një fund të lumtur. Anija e refuzuar fillimisht nga Malta dhe më vonë nga Italia, pasi është endur për ditë me radhë nëpër Mesdhe është ankoruar në brigjet spanjolle.

629 refugjatët në bordin e anijes, disa prej të cilëve në gjendje të rënduar shëndetësore për shkak të kohës së gjatë të qëndrimit në det, kequshqimit dhe mungesës së ilaçe morën ndihmën e parë nga grupet e emergjencave në Portin e Valencias.

Qeveria e re spanjolle e drejtuar nga Pedro Sanchez ka një tjetër qasje ndaj emigracionit në krahasim me qeverinë e Mariano Rajoy-t.

“Është detyra jonë që të ndihmojmë për të shmangur katastrofat humanitare dhe të ofrojmë një port të sigurtë për këta njerëz për të përmbushur gjithashtu zotimet tona karshi të drejtave themelore të njeriut”, deklaroi disa ditë më parë Kryeministri Sanchez.

Pjesa më e madhe e refugjatëve janë nga Afrika, por mes tyre nuk mungojnë shtetas nga Afganistani, Pakistani dhe Bangladeshi.

Itinerari i përshkuar nga anija Aquarius

Që të gjithë ata u shpëtuan nga varkat e sajuara dhe të tejmbushura në brigjet libiane, gati për t’u nisur drejt Europës.

Autoritetet spanjolle dhe grupet e shpëtimit të Kryqit të Kuq dhe Mjekëve pa Kufij kanë nisur menjëherë ofrimin e ndihmës. Prioritet u është dhënë grave shtatzënë, fëmijëve dhe personave të sëmurë.

Pas kësaj, ata do të shoqërohen nëpër stacionet policore për t’iu nënshtruar procedurave të identifikimit dhe nisjes së procesit të emigracionit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat