Koleksionisti i gijotinave. Francezi blen 8.000 euro mekanizmin e ekzekutimeve

Evropë

Koleksionisti i gijotinave. Francezi blen 8.000 euro mekanizmin e ekzekutimeve

Më: 13 korrik 2018 Në ora: 00:35
Ankandi

Ka qenë një ankand i pazakontë, i rrethuar nga polemika, por në fund blerja u krye. Një milioner francez, i apasionuar pas objekteve të çuditshme, e ka shtuar koleksionin e tij me një gijotinë.

Mekanizmin, ai e siguroi për 8.008 euro. Kopja 150-vjeçare ngjalli debate të mëdha, sidomos nga ana e organizmit mbiqëkyrës të ankandeve, megjithëse shtëpia që e nxori atë në shitje këmbëngul se instrumenti 3 metra i lartë nuk është përdorur kurrë.

Gijotina ka qenë mënyrë ekzekutimi në Francë deri në vitin 1977. Vendi do ta hiqte dënimin me vdekje në vitin 1981. Kopja e shitur ka qenë dikur e ekspozuar në një muze torture në Paris.

Pati shumë kundërshtime ndaj shitjes së saj, me argumentin se objekte si instrumentet e torturës apo veshjet e mbajtura nga hebrenjtë e deportuar prej nazistëve nuk duhet të dalin nëpër ankande, sepse njerëzit janë shumë të ndjeshëm ndaj tyre.

Shitja, megjithatë nuk u bllokua dot. I gjithë procesi zgjati vetëm dy minuta. Industrialisti Christophe Février e dyfishoi çmimin fillestar të 4.000 eurove të dhënë për të, e kaq ishte e gjitha.

Gijotina të vërteta janë nxjerrë sakaq nëpër ankande në të kaluarën. Një prej tyre u shit në Paris përpara 7 vitesh për 220 mijë euro. Gijotina u përdor fillimisht gjatë Revolucionit francez. 16.000 personave iu pre koka që nga fillesat e saj e deri kur u hoq përfundimisht në Francë, duke përfshirë edhe Mbretin Luigji i XVI dhe Mbretëreshën Marie Antoinette.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat