Edhe Spanja lufton kundër trafikut të drogës

Evropë

Edhe Spanja lufton kundër trafikut të drogës

Më: 17 korrik 2018 Në ora: 09:58
Ilustrim

Thirrje emergjence nga një parajsë mesdhetare: Në provincën spanjolle, Cádiz në Andaluzi popullsia vuan nga tregtia e drogës, kontrabanda e cigareve dhe bandat.

Thinjoshi Francisco Mena është një njeri i kërkuar. Takimi me të në lokalin spanjoll të fshatit piktoresk San Roque ndërpritet shpeshherë nga telefonatat. „Sapo fola me BBC tani dhe të hënën takoj ministren e Brendshëm spanjoll", thotë 58 vjeçari jo pa krenari. Andaluziani lufton me organizatën e tij „Për sigurinë tënde e të gjithëve" prej 20 vitesh kundër tregtisë me drogën në cepin më jugor të Europës, në provincën Cádiz. „Këtu spanjollët dhe marokenët punojnë dorë më dorë, me këdo që do të bëjë shpejt para", thotë ai. Organizata u ndihmon personave të varur nga droga të dalin prej rrethit vicioz.

Në brigjet e qytetit fqinj, La Linea përditë vijnë qindra kilogramë kanabis me gomone nga Maroku. Ka ditë që transportohen edhe disa tonë drogë. Sipas Menas, Spanja është zhvilluar në një pikë qendrore për drogën. „Krahas tregtisë ndërkombëtare me drogën nga Amerika Latine dhe kanabisin në Marok kemi tani edhe kontrabandën me Gjibraltarin", shpjegon aktivisti kundër dorgës. Sipas tij mungojnë të paktën 400 policë për t'i bërë ballë presionit në rritje kundër sigurisë në rajon.

Image

Deri më tani biznesi me drogën zhvillohej në fshehtësi. Në mars të këtij viti situata në La Linea u ashpërsua, kur kontrabandistë të hashashit qëlluan me gurë policinë që donte t‘i ndalte të ngarkonin mallin në një automjet Landrover. Kur pas një aksioni të policisë një bos maroken i drogës u dërgua në spital, 30 persona të maskuar dhe të armatosur e nxorrën atë nga spitali. „Kjo të kujton situata si në Kolumbi", thotë Mena i nervozuar. Ai pi cigare, ulet, ngrihet sërish.

Diell, drogë dhe varfëri

Në qershor ra edhe viktima e parë gjatë për përndjekjeje të një kontrabandisti të cigareve në Gjibraltarin përballë. Aty një paketë cigaresh kushton 3 euro, në vend të 5 eurove si në Spanjë. Një polic 46 vjeçar u shtyp me makinë. Që atëherë qeveria në Madrid e drejtoi vëmendjen në rajonin e harruar.

Në Algeciras dhe La Linea rreth 35% e popullsisë është e papunë. Në qytetin La Linea me 64.000 banorë, rreth 3.000 vetë jetojnë nga tregtia me drogën dhe kontrabanda. Rreth 100 bosë të ndryshëm të organizuarnë 30 banda që ndajnë territorin në ngushticën e Gjibraltarit. Rrugët në këtë qytet janë me gropa, ndërtesat duken të rrënuara, automjetet janë të vjetra dhe të mbuluara nga pluhuri. Jo vetëm popullsia vendase, por edhe shumë migrantë kërkojnë punë. „Shumë kthehen pastaj në ndihmës të bosëve të drogës, sepse nuk kanë perspektivë tjetër, thotë Mena. Në Maj ai foli para Komisionit Parlamentar spanjoll për Sigurinë e Brendshme.

Image
Gomone të drogës në Andaluzi, 400 policë shtesë kërkohen për të ruajtur sigurinë

Në dy dekadat e fundit gjendja është përkeqësuar. Ndërkohë plazhet e mrekullueshme të La Lineas përdoren vetëm nga vendasit. Nuk gjen hotele apo apartamente me pamje nga deti, e askush nga vizitorët e plazhit nuk e humbet rrugën nëpër baret e qytetit, ku gjen të droguar në mes të ditës.

Kryetari i bashkisë së La Lineas do më shumë fonde

Se sa serioze është gjendja u desh ta kuptojë edhe, ministri i Brendshëm spanjoll Fernando Grande-Marlaska. Kur ai vizitoi La Linean më 9 Korrik u zhvillua një aksion i policisë, ku u përdorën edhe helikopterët. „Kontrabandistët nuk po presin as të erret", thotë kryetari i bashkisë, Juan Franco. Ai shpreson që ministri i Brendshëm të mbajë premtimin dhe të dërgojë 400 forca policie të nevojshme urgjentisht në La Linea.

Kryetar i i bashkisë është i dëshpëruar, kur tregon qytetin e braktisur, toka të mbuluara nga plehrat. „Diku tjetër këto toka do të kishin një vlerë disa milionëshe. Por firmat private nuk duan të investojnë në këto kushte këtu", thotë ai. Juan Franco e sheh edhe migrimin ilegal përmes ngushticës së Gjibraltarit si një faktor tjetër pasigurie në qytet. „Maroku është kthyer ndërkohë në një dhomë pritjeje për mijëra afrikanë që duan të hyjnë në Europë. Këtu në kufirin jugor të kontinentit ne kemi ndjesinë se qëndrojmë të ulur në një fuçi baruti dhe askush nuk na ndihmon."

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat