Juncker: Përpjekjet e Trumpit për të ndarë Evropën janë të kota

Evropë

Juncker: Përpjekjet e Trumpit për të ndarë Evropën janë të kota

Më: 18 korrik 2018 Në ora: 14:35
Shefi i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

Shefi i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, tha se përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të ndarë BE-në në tregti "janë të kota".

Juncker e dha këtë mesazh për presidentin amerikan, Donald Trump, në prag të udhëtimit të tij në Uashington, javën e ardhshme.

Në një konferencë për gazetarë në Bruksel, Juncker tha se do të përpiqet ta bindë Trumpin që t'i heqë tarifat mbi importet e metalit nga Evropa.

"Bashkimi Evropian dhe tregu i tij i vetëm janë të pandashëm", tha Juncker, i pyetur për ofertën e presidentit amerikan për marrëveshje dypalëshe.

"Të gjitha përpjekjet për të ndarë evropianët janë të kota", tha Juncker.

Trump ka vënë taksë 25% mbi importet e çelikut dhe 10% në alumin, në muajin mars, por ka bërë përjashtime të përkohshme për BE-në dhe disa partnerë të tjerë tregtarë, derisa bisedimet kanë vazhduar.

Këto përjashtime janë hequr në fillim të qershorit, duke nxitur tarifa hakmarrëse nga BE-ja.

Trump ka thënë se po shqyrton vendosjen e tarifave edhe mbi makinat evropiane./REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat