Një parti e ekstremit të djathtë me rrënjë në lëvizjen neo-naziste, ka fituar terren të konsiderueshëm në zgjedhje në Suedi, në vazhdën e një prirjeje të ngjashme në vende të tjera në Evropë. Partia e kishte bërë imigracionin një temë qendrore të fushatës, pasi Suedia pranoi mijëra imigrantë në vitin 2015. Megjithatë, përqindja e votave për të djathtën e skajshme nuk ishte aq e lartë sa ç’ishte parashikuar dhe analistët vënë në dukje se edhe partitë e majta fituan terren dhe elektorati duket gjithnjë e më shumë i polarizuar. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell njofton.
Tolerante, e begatë, progresive: Suedia është konsideruar për një kohë të gjatë si model i demokracisë sociale evropiane. Por kjo qëndrueshmëri është tronditur nga zgjedhjet e së dielës.
Shumë kishin parashikuar një tërmet politik, ndërsa “Demokratët e Suedisë” të së djathtës së skajshme kishte kryesuar në anketa gjatë verës.
Në fund ishte më shumë si një dridhje e lehtë, ndërsa partia doli e treta, me 18 për qind të votave, një rritje 5 për qind që nga viti 2014.
“Është e çuditshme. Nuk është diçka suedeze, mua më duket jo-demokratike. Është vërtet alarmuese dhe është një situatë e frikshme këtej e tutje në Suedi”, thotë Johan Einaesson, një votues suedez.
Tani për tanë e ardhmja është bllokim politik. Koalicioni qeverisës i së majtës së qendrës, kryesuar nga social-demokratët është pak përpara rivalëve të Aleancës së të djathtës së qendrës me rreth 40 për qind. Bisedimet e pritshme për koalicion pritet të jenë të vështira dhe të dyja forcat kanë refuzuar të punojnë me “Demokratët e Suedisë”.
Kryeministri, ka premtuar të qëndrojë në detyrë. ?
“Do mbledhim të gjitha forcat pozitive dhe do të rezistojmë dhe do të tregojmë se është e mundur të kemi një shoqëri të ndryshme”, thotë ai.
Jo të gjithë suedezët mendojnë kështu. Suedia pranoi rreth 140 mijë refugjatë dhe imigrantë në vitin 2015, një numër më i lartë për frymë edhe nga Gjermania. Votuesit e “Demokratëve të Suedisë” thonë se kanë vuajtur.
“Strehimi, kujdesi shëndetësor, shkollat. E sforcon vendin në çdo lloj drejtimi”, thotë Staffan Myrman, votues i “Demokratëve të Suedisë”.
"Në vitet ’70 dhe ‘80s, ishte fantastike të rriteshe këtu. Tani çdo gjë po shkatërrohet”, thotë një tjetër votues i kësaj partie, Leif Danielsson.
Kjo lloj nostalgjie ka qenë në qendër të fushatës së të djathtës së skajshme, tema që patën jehonë në zgjedhjet e kohëve të fundit në gjithë Evropën, thotë analisti, Anders Hellström.
“Suedia është bërë më e ngjashme edhe me vende të tjera të Evropës, nuk është më e veçantë. Nuk është më aq e turpshme të thuash se ke votuar për ‘Demokratët e Suedisë’”, thotë profesor Anders Hellstrom, i Universitetit të Malmos.
Por ai shton se është e gabuar të thuash se Suedia po anon nga e djathta.
“Mund të flasësh për evropianizimin e nacionalizmit. Por është e rëndësishme jo vetëm të thuash që ka një evropianizim të nacionalizmit, por do të theksoja se ka forca të mëdha të mobilizuara kundër këtyre lëvizjeve. Pra është më e saktë të flasësh për një polarizim të fortë”.
Sipas anketave, rreth 41 për qind të votuesve suedezë e ndryshuan votën e tyer krahasuar me zgjedhjet e mëparshme Ashtu si në shumë pjesë të Evropës, poltika është e luhatshme dhe e fragmentuar dhe partitë e mëdha e kanë të vështirë të përcaktojnë se si të përgjigjen.