Historia e një vrasje: I jepte të bijës 500 mijë euro në muaj, por dhëndri nuk kënaqej

Evropë

Historia e një vrasje: I jepte të bijës 500 mijë euro në muaj, por dhëndri nuk kënaqej

Më: 17 shtator 2018 Në ora: 18:14
Dhëndri i një miliardereje të vrarë ka dalë përpara gjykatës bashkë me nëntë persona të tjerë.

Ka nisur sot një nga gjyqet më të shumëpritur jo vetëm në Francë, por në mbarë Europën. Dhëndri i një miliardereje të vrarë ka dalë përpara gjykatës bashkë me nëntë persona të tjerë.

Ai akuzohet se ka porositur vrasjen e Helene Pastor, 77 vjeç. Kjo e fundit u qëllua në Rivierën Franceze në vitin 2014. Më 6 maj të atij viti, një person i armatosur qëlloi mbi makinën e saj, teksa ajo po largohej nga spitali, ku kishte vizituar të birin.

Shoferi vdiq pak ditë më vonë dhe Pastor ra në koma. Ajo u zgjua për pak dhe u tha hetuesve: “Kam frikë se duhet t’ju shoh përsëri pasi kam shumë për t’u thënë”.

Por përpara se të fliste sërish, ajo ndërroi jetë.

Policia identifikoi dy personat që kryen krimin, që tashmë besohet se ishte një vrasje me pagesë e orkestruar nga Wojciech Janowski, 69 vjeç, dhëndri i Helene Pastor.

Fillimisht ai e pranoi krimin, duke thënë se donte ta vriste vjehrrën për t’i marrë pasurinë prej 13 miliardë euro. Por më vonë e tërhoqi rrëfimin, duke thënë se e kishte keqkuptuar pyetjen e hetuesit.

Vrasësi i dyshuar, Samine Said Ahmed, 28 vjeç, është në gjyq. Ai i ka mohuar akuzat. Në gjyq është edhe një person që shërbeu si ndihmësi i tij. Të dy kishin marrë një taksi për të shkuar në vendin e krimit. Për hetuesit, ata u treguan shumë amatorë, pasi lanë pas shumë gjurmë.

Helene Pastor kishte trashëguar një pasuri gjigande nga gjyshi, një italo-francez i quajtur Jean-Baptiste Pastor. Janowski ka qenë i martuar me të bijën e Pastor, Sylvia, 57 vjeç, për 28 vite.

Ai ka qenë biznesmen dhe konsull nderi i Polonisë në Monako, përpara se t’i hiqej titulli. I diplomuar në Kembrixh, ai pretendonte se kishte një firmë të suksesshme nanoteknologjie. Por hetuesit thonë se ai nuk ishte aq i suksesshëm dhe shpresonte që të vinte dorë në pasurinë e Pastor, edhe pse kjo e fundit i jepte të bijës nga 500 mijë euro çdo muaj.

Një muaj pas vrasjeve, trajneri personal i tij pranoi se ai kishte organizuar krimin. Janowski pagoi 250 mijë euro për të punësuar vrasësit me pagesë.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat