Jep dorëheqje shefi i bankës më të madhe të Danimarkës

Evropë

Jep dorëheqje shefi i bankës më të madhe të Danimarkës

Më: 19 shtator 2018 Në ora: 14:14
Kopenhagë

Shefi ekzekutiv i bankës më të madhe të Danimarkës dha dorëheqje pas akuzave se dega e saj në Estoni është në qendër të një skandali të madh të pastrimit të parave.

"Është e qartë se Danske Bank nuk ka arritur të mbajë përgjegjësinë e saj në rastin e pastrimit të mundshëm të parave në Estoni", tha shefi ekzekutiv, Thomas Borgen, derisa njoftoi për dorëheqjen.

Një hetim i brendshëm i akuzave se miliarda euro - para të pastruara - nga Rusia dhe shtetet e tjera ish-sovjetike kanë rrjedhur përmes degës së bankës në Talin, konstatoi se "shumica" e transaksioneve në periudhën 2008-2015 kanë qenë "të dyshimta".

Banka me seli në Kopenhagë tha se nuk është në gjendje të japë "një vlerësim të saktë të shumës së transaksioneve të dyshimta, të bëra nga konsumatorë jorezidentë në Estoni", por tha se rrjedhja totale në degën estoneze është rreth 200 miliardë euro - nëntë herë më shumë se bruto-prodhimi i brendshëm i Estonisë më 2017.

Këto transaksione kanë mbuluar rreth 15,000 llogari - 6,200 prej të cilave, sipas Danske Bank, "kanë indikacionet më të larta të rrezikut".

"Pothuajse të gjithë këta konsumatorë janë raportuar tek autoritetet", tha banka.

Danske Bank tashmë është cak i hetimeve penale në Danimarkë dhe Estoni.

Sipas raporteve, agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit gjithashtu po shqyrtojnë rastin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat