Koment: Gjermani thirri arsyes!

Evropë

Koment: Gjermani thirri arsyes!

Më: 22 shtator 2018 Në ora: 10:57
Angela Merkel dhe Horst Seehofer

Në sondazhin e ARD-së për tendencat elektorale në Gjermani populistët e djathtë të AfD-së për herë të parë renditen para socialdemokratëve, SPD. Demokratët në Gjermani tani duhet të ruajnë arsyen, mendon Jens Thurau.

Ta themi qysh në krye të herës: populistët e djathtë të "Alternativa për Gjermaninë" (AfD) nuk ofrojnë asgjë, asgjë fare për zgjidhjen e problemeve në vend. Tema e vetme e tyre është, se refugjatët janë shkaku i të gjitha problemeve. Ata bëjnë sehir kur në demonstratat e tyre bëhen përshëndetje hitleriane, ata heshtin, kur sulmohen restorante hebreje. Tema të tjera - mungesa e banesave, çështjet sociale - atyre nuk u interesojnë.

AfD kryeson në Lindje

Por ata kryesojnë në sondazhin e fundit të ARD-së për herë të parë kundrejt socialdemokratëve (SPD), partisë prestigjoze, partisë më të vjetër gjermane. E ky është vetëm fiksimi i një çasti në një zhvillim, që ende nuk ka marrë fund. Në landet lindore të Gjermanisë AfD-ja sipas anketimeve arrin mesatarisht vendin e parë.

E megjithatë: 82 përqind e të pyeturve në sondazh nuk kanë vendosur për AfD. Po të hedhësh një sy në vendet e tjera europiane kupton, që Gjermania megjithatë rezulton mjaft mirë. Në Itali populistët janë në pushtet, Hungaria dhe Polonia qeverisen prej populistëve. Ndërsa në Uashington gjëmon Donald Trumpi.

Të gjithë votuesit e AfD esktremistë të djathtë?

18 përqind e të pyeturve pra do të votonin për AfD-në. Një parti antidemokratike, ksenofobe, plot reminishenca, pa empati për minoritetet. Një parti, e cila vë në pikëpyetje ndarjen e pushteteve. A janë këta 18 përqind të gjithë edhe të këtij mendimi?

Image

Në fakt jo. Nëse në Chemnitz, ashtu sikurse ndodhi, mijëra qytetarë i bashkohen një marshimi në demonstratë, në krye të së cilës himnizohet Adolf Hitleri dhe bëhet thirrje për të sulmuar shtetin, atëherë kjo më keq s'ka ku të vejë. Por kjo është edhe shenjë, që njerëzit nuk gjejnë një vend tjetër, në të cilin të munden të shkarkojnë indinjatën dhe zhgënjimin e tyre. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për azilkërkues dhe probleme bashkëjetese, por ndër të tjera edhe për këtë. Këtu është fjala për vlerësim, respekt, ndjenjës, se nuk të marrin seriozisht, kur në një botë të pasigurtë po shtohen gjithnjë e më shumë frikërat.

Prej shumë kohësh të gjitha partitë i kanë lënë pas dore temat thelbësore si mungesa e banesave, pabarazia sociale. Nga një atmosferë e tillë gjithmonë historia ka treguar, se pavarësisht ku, përfitojnë ata që i thjeshtojnë më së shumti gjërat dhe nxisin urrejtjen. Por në Gjermaninë e pasluftës, fillimisht vetëm në Perëndim, ka qenë ndryshe. Nisur nga përvoja prej krimeve të tmerrshme të nazistëve, shumica e gjermanëve mendonin për pajtim, maturi dhe sa më pak debate polarizuese. Tani gjërat kanë ndryshuar. Anë e mbanë ndihet acarimi, në rrugë e nëpër qytete.

Demokratët duhet të reflektojnë

Image
Jens Thurau

Politika e vjetër, e etabluar luan rolin e vet këtu: e pështjelluar në grindje të hapura, për muaj të tërë, pa impulse të vërteta për zgjidhje lidhur me politikën e azilit. Hesht gjithashtu, që prej kohësh në qeveri ka një konsensus, që në thelb duhen mbyllur kufijtë e Europës. Kushdo e kupton, se këtu kemi të bëjmë edhe me larje personale hesapesh, si p.sh. mes kancelares dhe kritikëve në radhët e saj, kryesisht në radhët e kristiansocialëve, partisë bavareze simotër e kristiandemokratëve të kancelares. Ndërsa ne mediet nuk ia dalim, që një pjesë të popullsisë, e cila voton për AfD-në pa qenë vërtetë ekstremiste e djathtë, ta vlerësojmë poizitivisht dhe ta pasqyrojmë atë vërtetë ashtu siç është me motivet e saj. 

Tani është e nevojshme, që shoqëria duhet ta mësojë nga e para bashkëbisedimin. Njerëzit e arsyeshëm në të gjitha partitë e etabluara - të tillë ka - duhet t'i çojnë ato në parada e t'u japin mikrofonin për të mbrojtur demokracinë. Ndërsa mediet duhet të kujtojnë një parim të vjetër e të mirë të tyren: të raportojnë. Jo duke u bërë palë vetëm me një anë - e jo vetëm me një anë të mirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat