Një tjetër i dyshuar mund të jetë arrestuar në lidhje me vrasjen e gazetares bullgare

Evropë

Një tjetër i dyshuar mund të jetë arrestuar në lidhje me vrasjen e gazetares bullgare

Më: 10 tetor 2018 Në ora: 09:19
Vendi ku është vrarë gazetarja bullgare, Viktoria Marinova

Një i dyshuar i ri është ndaluar në lidhje me vrasjen e gazetares në Bullgari, Viktoria Marinova, kanë raportuar mediat në këtë shtet.

Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borisov pritet të mbajë një konferencë për media më 10 tetor, në të cilën mund të konfirmojë detajet e arrestimit, ka raportuar transmetuesi gjerman, Deutsche Welle.

I dyshuari, i përshkruar si burrë bullgar në mes të 20 apo 30 vjetëve, është ndaluar në Gjermani. Ai supozohet se është larguar nga Bullgaria më 7 tetor drejt Gjermanisë, ku jeton nëna e tij.

Kanali televiziv, TVN, ku Marinova ka realizuar emisionin e saj kryesisht të bazuar në raportimet për hetime rreth dyshimeve për korrupsion në nivele qeveritare, ka thënë se i dyshuari i ri nuk e ka njohur gazetaren.

Mirëpo një tjetër transmetues bullgar, bTV, ka raportuar se policia ka gjetur telefonin e gazetares në banesën e të dyshuarit në qytetin verior të Bullgarisë, Ruse.

Autoritetet gjermane kanë mohuar të konfirmojnë arrestimin.

Trupi i Marinovas është gjetur në një park në Ruse më 6 tetor, teksa ajo ishte duke vrapuar.

Policia ka thënë se 30 vjeçarja është rrahur brutalisht dhe është dhunuar, andaj hetimet janë duke u kryer edhe për jetën e saj personale ashtu edhe për atë profesionale.

Një burrë nga Rumania që ishte ndaluar më 9 tetor në lidhje me këtë vrasje është liruar për shkak të mungesës së provave.

Vrasja e Marinovas ka nxitur thirrje ndërkombëtare për hetim të plotë të vrasjes së saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat