Europa ime: A do ta gjejnë Macron dhe Europa Lindore kursin e përbashkët

Evropë

Europa ime: A do ta gjejnë Macron dhe Europa Lindore kursin e përbashkët

Më: 14 tetor 2018 Në ora: 14:42
Emmanuel Macron dhe Viktor Orban

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka plane të mëdha për BE, por ai duhet të bindë për këtë edhe vendet lindore. Analisti politik, Radu Magdin thotë se Macron duhet të kuptojë njëherë problemet e këtij rajoni.

Ashtu si kancelarja Angela Merkel edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron është i zënë deri në fyt me problemet në politikën e brendshme. Por kjo nuk e ka penguar që të jetë aktiv në nivel europian dhe ndërkombëtar, që të mbrojë vlerat bazë të unionit dhe multilateralizmin. Një virtyt në kohë turbulencash për Europën, si në politikë edhe sfera të tjera. Aktualisht presidenti francez, ndodhet në pikun e një fushate për të gjetur përkrahës për reformat e tij për BE. Vendimtare këtu është se ai di të dallojë mirë miqtë  dhe armiqtë, di të kuptojë, se interesat strategjike janë më të rëndësishme, se fushata sharmante.

Europa lindore nuk është një bllok i njësuar

Franca ka një rol kyç në BE dhe është vend simbol për vazhdimësinë e procesit të integrimit të BE. Këtë mund të mbështesin Rumania dhe vende të tjera miqësore ndaj Brukselit, ndryshe nga Hungaria dhe Polonia. Në këto kushte është e vështirë ta shohësh Europën Lindore si një bllok të njësuar. Macron ka sjellë me siguri një frymë dhe stil të ri në BE. Ai u tregua i gatshëm të ndiqte kursin e konfrontimit me koalicionin kundërshtar lindor, ku në krye janë Hungaria dhe Italia. Viktor Orban është një lider rajonal, por për fat të keq jo një aktor konstruktiv për projektin e madh europian të Macronit.

Edhe përsa i përket stilit drejtues, Macron është i besueshëm dhe i parashikueshëm në guximin e tij politik. Ndërkohë prej tij kanë ardhur disa propozime interesante. Reagimet e vendeve lindore të BE ishin të përziera. Gjermania është de facto edhe më tej liderja sa e urryer aq edhe e dashur e BE (tani është vështirë të flitet për një motor gjermano-francez). Ndërkohë që Polonia, që u vlerësua me statusin e një tregu të zhvilluar, shihet si liderja e zërave lindore. Ajo që duan vendet lindore të BE-së nga Parisi, Berlini dhe Brukseli është një vend më i mirë në tryezën e BE. Është apo i jo i dashur patriotizmi dhe nacionalizmi në perëndim, ne jetojmë në kohë patriotike dhe nacionaliste. Vetëbesimi në Europën Lindore dhe Qendrore është një valutë e fortë. Një ofensivë për të fituar zemrën e lindorëve funksionon vetëm, nëse ata trajtohen me respekt, dhe kjo kërkohet sigurisht prej tyre. Reciprocitet është fjalëkyçi.

Në të njëjtën kohë Lindja pret për një marrëveshje të re sociale-kapitaliste, mbi bazën e së cilës, qeveritë t'i mbajnë dyert hapur për globalizmin dhe firmat e huaja, por në të njëjtën kohë të sigurojnë, që qytetarët e vet të mbrohen dhe të mos shfrytëzohen.

Nuk bëhet fjalë që të luftohet SHBA

Image
Radu Magdin

Shumica e shteteve lindore kanë ose duan të mbajnë marrëdhënie të mira me SHBA. Kjo do të thotë që në çdo etapë të diskursit „BE-First"- „BE- e para" në Europën Lindore duhet të merret parasysh konsolidimi supranacional i Bashkimit Europian, stabiliteti, dhe jo ideja se po luftojmë SHBA. Jo të gjitha shtetet e Lindjes duan të njëjtën gjë, as mes shteteve të Vishegradit nuk është kështu. Polonia ndoshta mbetet në anën e Hungarisë, por Çekia dhe Sllovakia nuk janë shumë të interesuara t'i ndjekin deri në fund mesazhet euroskeptike të Varshavës dhe Budapestit. Qëndrimi ndaj emigrantëve i bashkon shtetet e Vishegradit, por zgjidhjet që ofrojnë ata nuk kanë për t'i pëlqyer Francës.

Vendet balltike tentojnë për një Europë të fortë me lidhje të ngushta transatlantike. Kjo vlen edhe për Rumaninë, Kroacinë, kurse për Bullgarinë dhe Slloveninë më pak. Në disa nga këto vende ka përvoja pozitive me futjen e euros. Pavarësisht nga fjalimet në Akropol, Macron u përpoq të mbante një fjalim shumë të mirë, ajo që të ndihmon është mospërsëritja e tragjedisë greke në ekonomi.

Sharmi nuk mjafton

Një vështrim drejt Baltikut si edhe vendeve europianolindore e europianoqendrore të tregon se, Macron mund të gjejë vërtet aleatë për planet e tij, por ai ka nevojë për mesazhe të prera sipas masës për këto vende dhe të ofrojë strategji të diferencuara. Sharmi personal nuk mjafton. Jetojmë në kohë pragmatike, cinike, populiste, ku është e vështirë t‘i besosh dikujt që ka kaq pasion për BE. Europa Lindore është e vetëdijshme, që të gjithë ndodhemi në të njëjtën anije, por ajo dëshiron të dëgjohet, kur vjen fjala për vendime të rëndësishme të BE. Kjo është sfida e rikonstruktimit të unionit në të ardhmen e afërt. Zgjedhjet europiane 2019 mund të sjellin më shumë qartësi. Kush i ndjek divergjencat mes Macron dhe Orban mund të krijojë një ide, se në cilin drejtim po shkon BE. Të shpresojmë se do të jetë një shans për progres, kur t'i kemi kaluar këto probleme aktualisht.

Radu Magdin është analist rumun dhe këshilltar i politikës, ai ka këshilluar kryeministrin rumun në vitin 2014-2015 dhe kryeministrin e Moldavisë në vitin 2016-2017. Nga viti 2007-2012 ai ka punuar në Bruksel për Parlamentin Europian, EurActiv dhe Google./dw

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat