Rasti Khashoggi: Turqia merr në pyetje punëtorët e konsullatës saudite në Stamboll

Evropë

Rasti Khashoggi: Turqia merr në pyetje punëtorët e konsullatës saudite në Stamboll

Më: 19 tetor 2018 Në ora: 19:40
Gazetari saudit, Jamal Khashoggi.

Prokurorët turq që janë duke hetuar zhdukjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi kanë marrë në pyetje punëtorët turq të konsullatës saudite në Stamboll të premten, duke zgjeruar hetimet në kërkim të të dhënave për zhdukjen e gazetarit, transmeton Reuters.

Khashoggi është zhdukur më shumë se dy javë më parë pasi ka hyrë në konsullën e Riadit në Stamboll për të marrë disa dokumente për martesë.

Zyrtarët turq besojnë se ai është vrarë në këtë ndërtesë më 2 tetor, ndonëse Riadi i ka mohuar këto pretendime.

Në kuadër të zgjerimit të kërkimeve për gjurmë të gazetarit, policia ka kërkuar në periferi të Stambollit dhe rreth zonës së Detit Marmara.

Agjencia e lajmeve, Anadolu ka thënë se 15 punëtorë të konsullatës kanë dhënë dëshmitë e tyre para zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Përveç tjerash, Turqia ka thënë se nuk ka ndarë incizimet e zërit të cilat tregojnë se Khashoggi është vrarë brenda konsullatës, duke hedhur poshtë raportimet se u ka ofruar këto të dhëna Shteteve të Bashkuara.

Pse Arabia Saudite ka rëndësi për Perëndimin?

Gazeta turke pro-qeveritare, Yeni Safak ka publikuar ato që ka thënë të jenë detaje nga incizimet e zërit gjatë vrasjes së Khashoggit, duke përshkruar se trupi i tij është copëtuar.

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu ka thënë se Ankaraja nuk ka ndarë informacione me asnjë shtet për të këtë rast edhe se “rezultatet do të publikohen në mënyrë transparente për të gjithë botën”.

Cavusoglu: Turqia nuk ka ndarë informacione me askënd për Khashoggin

Zhdukja e Khashoggit dhe mundësia për vdekjen e tij, ka tenksionuar marrëdhëniet në mes të aleatëve Perëndimorë dhe Arabisë Saudite.

Khashoggi, banor i Shteteve të Bashkuara dhe kolumnist në Washington Post është njohur si kritik i trashëgimtarit të fronit saudit, Mohamed bin Salman.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat