CDU-SPD: Ditë vendimtare për partitë tradicionale gjermane

Evropë

CDU-SPD: Ditë vendimtare për partitë tradicionale gjermane

Më: 5 nëntor 2018 Në ora: 12:59
CDU dhe SPD

Konsultime tek dy partitë kryesore gjermane. Tek CDU kandidatët kanë filluar garën për pasardhësin e Merkelit, ndërsa SPD duhet të gjejë rrugëdalje nga kriza e thellë pas rezultateve rrënuese në zgjedhjet e dy landeve.

Në të vërtetë konsultimet e kryesisë së CDU-së që filluan të dielën (04.11.) e përfundojnë të hënën, janë takime  të zakonshme që në situata normale nuk tërheqin vëmendjen. Por prej deklaratës së kancelares Merkel, se nuk do të kandidojë më për postin e kryetares së CDU-së në kongresin e partisë në dhjetor, situata në këtë parti është ndezur. Pasi në këto konsultime nuk bëhet fjalë thjesht për përgatitjen e kandidatëve për kongresin e partisë, por edhe për një korrigjim kursi të partisë në të ardhmen pas largimit të kancelares Merkel.

Në takimin dy ditor, kryesia  e partisë pritet që të nxjerrë një plan veprimi për kongresin në dhjetor në Hamburg, ku do kurorëzohet njëri nga kandidatët si kryetar i partisë e mënyrën e prezantimit të tyre. Në konferenca rajonale, kandidatët kryesorë, Anneggret Kramp-Karrenbauer, Jens Sphan dhe Friedrich Merz pritet të paraqesin para bazës së partisë në lande programin e tyre. Në deklaratën e përbashkët, krerët e degëve kryesore të CDU në bazë kanë nënvizuar se ata duan të dinë se si kandidatët „do t'i forcojnë dhe përfshijnë degët nga ana politike, strukturore e organizative". Për CDU është e rëndësishme, tha Daniel Günther, kryeministër i landit Shlesvig-Holshtajn që sa më shumë anëtarë të partisë të „krijojnë një imazh për kandidatët në bazë." Fakti që ka disa kandidatë, Günther e sheh si shenjë të fuqisë së partisë dhe optimizimit.

Në qendër apo djathtas?

Duket se brenda CDU-së është ndezur edhe debati për orientimin politik të partisë konservatore. Politikani i CDU, Daniel Günther i rekomandon partisë konservatore të mos largohet nga orientimi i saj politik i „qendrës", i ndjekur në vitet e fundit nga kancelarja Merkel. „Nuk duhet të ndahemi nga kursi i qendrës i viteve të fundit".  Para fillimit të konferencës në Berlin, Daniel Günther tha, se „kursi i partisë në shkuarën ishte kursi i duhur." Në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, Günther del kundër kërkesave të kandidatit, Friedrich Merz dhe sidomos Jens Spahn që kërkon një ndryshim kursi të partisë konservatore dhe kalimin e saj në thelbin e djathtë konservator. Spahn kërkon madje edhe „ndryshim stili" në parti.

Image
Jens Spahn

Sidomos në politikën e migracionit, kandidati Jens Spahn kërkon një politikë më të ashpër. Jens Sphan distancohet nga pakti i migrimit të OKB-së, që është pjesë e debatit aktual, pas largimit të Austrisë prej tij dhe disa vendeve të tjera. „E rëndësishme është që Gjermania të ruajë sovranitetin e saj të kontrollojë dhe kufizojë migracionin", tha Spahn për „Welt am Sonntag." Ai kërkoi një verifikim të plotë të paktit. Edhe kryeministri i landit, Renani-Veriore Vestfali, Armin Laschet e paralajmëroi partinë nga një kthesë djathtas në të ardhmen.

SPD në kërkim të rrugëdaljes nga kriza

Konsultime zhvillon edhe Partia Socialdemokrate. Pas rezultateve historikisht të dobta të SPD- së, ajo po kërkon tani një strategji të re për daljen nga kriza e thellë, ku ndodhet. Kryetarja e kësaj partie, Andrea Nahles, para konsultimeve dyditore që filluan të dielën në mbrëmje në Berlin, doli në ofensivë. Ajo i tha gazetës "Süddeutsche Zeitung", se e drejton me „forcë, pasion dhe besim" partinë. „Nëse dikush mendon, se di ta bëjë këtë më shpejt apo më mirë këtë, le të ngrejë zërin", tha Nahles. Për konsultimet dyditore, Nahles dhe Sekretari i Përgjithshëm, Lars Klingbeil kanë përpiluar një dokument gjashtë faqësh. Por zëvendëskryetari i partisë, Ralf Stegner i krahut të mjaftë brenda partisë, ka paraqitur një koncept të tijin për daljen nga kriza. Aty vihet në pikëpyetje edhe qëndrimi i mëtejshëm i SPD në koalicionin qeverisës në Berlin.

Image
Merkel dhe Nahles

Brenda Partisë Socialdemokrate është ndezur një debat i fortë pas rezultateve rrënuese në zgjedhjet në landet e Hesenit dhe Bavarisë. Zërat kritikë të koalicionit qeverisës kërkojnë daljen nga koalicioni me bazë të gjerë. Pritet që në konsultimet dyditore, SPD të përcaktojë një kuadër kohor për zbatimin e projekteve themelore të qeverisë, që mbajnë vulën socialdemokrate.

Kryetarja e partisë, Andrea Nahles kërkon që të mos merret parasysh kërkesa e një pjese të socialdemokratëve për ta afruar në kohë kongresin e partisë, të planifikuar për fundin e vitit 2019, për të vendosur më herët për të ardhmen e koalicionit. Nahles u shpreh, se SPD duhet tani të flasë për përmbajtje dhe jo debate kohore dhe ndërrim personeli. Megjithatë edhe ajo e pranoi se gjendja e partisë është „shumë serioze." Një sondazh i Emnid për gazetën „Bild am Sonntag" e nxjerr SPD me 14% të votave, një rënie tjetër e fortë e kësaj partie. Ish-kryetari i kësaj partie, Sigmar Gabriel paralajmëroi nga „humbja e rëndësisë së kësaj partie". „Duhet shumë përpjekje për ta penguar këtë", tha Gabriel./dw

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat