Trump kundër Macron për krijimin e një ushtrie europiane

Evropë

Trump kundër Macron për krijimin e një ushtrie europiane

Më: 10 nëntor 2018 Në ora: 21:04
Donald Trump dhe Emmanuel Macron

Presidenti amerikan dhe homologu i tij francez diskutuan pikëpamjet e tyre të ndryshme lidhur me sigurinë evropiane sot ndërsa presidenti Trump kritikoi Macronin nëpërmjet një postimi në Twitter, menjëherë sapo mbërriti dje në Francë.

Ndërsa filluan takimin e tyre në Pallatin Elysee, presidenti amerikan bëri thirrje përsëri për ndarjen e barrës së kostos për mbrojtjen e Evropës.

“Po merremi vesh nga këndvështrimi i drejtësisë dhe dua të jem i drejtë, ne duam ta ndihmojmë Evropën, por në mënyrë të drejtë. Tani për tani barra ka qenë kryesisht mbi supet e Shteteve të Bashkuara. Macron e kupton se angazhimi i Shteteve të Bashkuara duhet të jetë i kufizuar” tha presidenti Trump.

Emmanuel Macron u përgjigj se Evropa ka nevojë për një mbrojtje më të fortë dhe vetë-mbështetëse.

“Është e padrejtë që siguria evropiane të sigurohet sot vetëm nga Shtetet e Bashkuara dhe ne kemi nevojë për një ndarje shumë më të mirë të barrës. Prandaj besoj se ne kemi nevojë për më shumë kapacitete evropiane, më shumë mbrojtje evropiane për ta ndarë barrën. Kur presidentit Trump i duhet të mbrojë një nga shtetet amerikane, ai nuk i kërkon Francës, Gjermanisë apo një qeverie tjetër të Evropës për ta financuar atë”.

Të dy udhëheqësit, të paktën ndërsa gazetarët ishin në dhomë, iu shmangën kritikave të njëri-tjetrit.

Megjithatë, ndërsa avioni presidencial amerikan Air Force One u ul në aeroportin Orly të premten, Trump pati një mesazh për presidentin francez, duke e quajtur thirrjen e Macronit për një ushtri evropiane “shumë fyese”.

Në një postim në Twitter, Trump sugjeroi që Evropa së pari duhet të paguajë “pjesën e saj të barrës” ndaj NATO-s para se të mendojë për një forcë mbarë-evropiane./VOA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat